Policia: Këpucët e Realit s'u vodhën në stadium
Veç betejës në fushë, incidenti i vjedhjes së këpucëve dhe fanellave të Ronaldos, Benzema dhe Ozil është shoqëruar me një luftë mediatike mes medias spanjolle dhe asaj gjermane. Mediat madrilene ngrinin pyetjen se si mund të ndodhte një vjedhje në stadiumin që pritet të organizojë finalen e Champions League, ndërsa ato gjermane shfajësoheshin se ky mund të jetë një tjetër truk i Jose Mourinho për të devijuar vëmendjen.

Klubi madrilen u ankua zyrtarisht në UEFA, ndërsa policia e Mynihut reagoi përmes zëdhënësit të saj, Wolfgang Wenger. "Pajimet e skuadrës së Realit kanë qenë të siguruara në dhomat e zhveshjes. Vjedhja e tyre është raportuar rreth orës 17:00. Ne po hetojmë se kush mund të ketë qenë në atë kohë në kabinë, sepse pamjet e kamerave të sigurisë nuk tregojnë asnjë thyerje të sigurisë. Kabinat kanë qenë të kyçura dhe nuk ka shenja dhune", deklaroi ai.

Portugezi Mourinho e quajti një turp atë që ndodhi në “Allianz-Arena”. “Një gjë e tillë nuk kishte për të ndodhur kurrë në ‘Bernabeu’. Është një turp”, – u shpreh tekniku portugez. /albeu.com/
Shtuar më 20/04/2012, ora 09:35
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori