Policia masa ekstreme me 2 mijë forca speciale, ja çfarë do t'u ndalohet tifozëve
Policia e Shtetit ka publikuar planin e masave për ndeshjen Shqipëri-Izrael që do të luhet nesër në mbrëmje. Duke pasur parasysh rëndësinë e kësaj sfidë policia njofton se janë rreth 2 mijë efektivë që përfshijnë repartin e forcave speciale RENEA, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, Drejtorinë e Policisë Rrugore, Drejtorinë e Antiterrorit, Forca të Posaçme Operacional dhe Drejtoritë e Policisë së Tiranë dhe Elbasanit.

Masat e sigurisë kanë filluar të zbatohen që prej mbrëmjes së të enjtes me mbërritjen e ekipit të futbollit të Izraelit në Rinas, ku është bërë shoqërimi pa asnjë problem nga Rinasi në Hotel "Plaza". Veç strukturave të Policisë së Shtetit, në garantimin e sigurisë në hotelin ku po qëndron skuadra izraelite, është angazhuar edhe Garda e Republikës.

Gjithashtu nga strukturat e Policisë së Shtetit janë marrë masa për shoqërimin e ekipit të Izraelit për në stadiumin "Elbasan Arena" dhe anasjelltas gjatë datës 11 dhe 12 Nëntor. Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan ka marrë masa për të garantuar rendin dhe sigurinë në qytet, ndërsa kontrollet si dhe garantimi i sigurisë në ambientet e brendshme të stadiumit do realizohen nga Forcat e Lëvizshme Operacionale në Policinë e Shtetit.

Kontrolli fizik i tifozëve para hyrjesstadium do bëhet nga F.N.SH. Në portat e hyrjes për në stadium do bëhet nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë me mbështetje të F.N.SH-së.

Policia shkruan se tifozët që kanë blerë bileta për të ndjekur në stadium këtë ndeshje duhet të paraqiten 4 orë përpara fillimit të ndeshjes, me qëllim shmangien e radhëve dhe konfuzionit gjatë check in-it të biletës.

Tifozët gjatë hyrjesstadium do t'i nënshtrohen një kontrolli të rreptë dhe të imtësishëm. Nuk do të lejohen të mbajnë me vete gjatë hyrjes për në stadium, monedha metalike, çelësa, fishekzjarre, kapsolla, flakadanë, flamuj me shkopinj, shishe uji me tapë, si dhe çadra, por vetëm mbulesa prej plastmasi në rast shiu.

Nuk do lejohen të futen në stadium banderola me parulla raciste dhe politike. Të gjitha parkimet përreth stadiumit si dhe anës rrugës kryesore në qytetin e Elbasanit do të boshatisen, si dhe do mbyllen të gjitha lokalet përreth stadiumit 8 orë përpara fillimit të aktivitetit.

Më datat 11 dhe 12 Nëntor do të këtë kufizime të shpeshta të lëvizjes në drejtim të Elbasanit dhe anasjelltas për shkak të bllokimit të tunelit. Lëvizja për në Elbasan dhe anasjelltas gjatë këtyre dy ditëve të realizohet nga Durrësi.

Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve në zbatimin e këtyre masave, si dhe të tifozerisë për të zbatuar udhëzimet e dhëna nga Policia.
Shtuar më 11/11/2016, ora 13:26
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori