Portugali-Argjentinë, CR7 kthehet në "Old Trafford"
Cristiano Ronaldo do të rikthehet në "Old Trafford", por jo për të mbajtur veshur fanellën e Manchester United, por për t’u përballur me rivalin e tij më të madh Lionel Messin. Dje u konfirmua sfida miqësore mes Argjentinës dhe Portugalisë që do të zhvillohet pikërisht në qytetin e Manchesterit.

Në 18 Nëntor do të ndodhë rikthimi i madh i CR7 në "Teatrin e Ëndrrave" edhe pse Ronaldo do të mbrojë ngjyrat e vendit të tij. Kohët e fundit po flitet shumë për një kalim të yllit luzitan te Manchester United dhe tifozët e "Djajve të Kuq" më 18 Nëntor do të kenë mundësinë më të mirë për të ushtruar presion te 29-vjeçari në mënyrë që ky i fundit verën e ardhshme të rikthehet te klubi ku u bë i famshëm.

Ajo e "Old Trafford" do të jetë përballja e 8-të në histori mes Argjentinës dhe Portugalisë. Në 7 takime të zhvilluara deri tani kombëtarja Albiceleste kryeson bindshëm me 5 fitore 1 barazim dhe vetëm 1 humbje të pësuar. Dueli i fundit mes këtyre dy përfaqësueseve është regjistruar në vitin 2011, sfidë e cila përfundoi me shifrat 2-1 në favor të Argjentinës falë golave të realizuar nga Messi dhe Di Maria.

Në 18 Nëntor në "Old Trafford" do të vihet kështu në skenë një tjetër përballje mes dy futbollistëve më të mirë të Botës, Messit dhe Ronaldos që më herët do të ndeshen në El Clasicon e 25 Tetorit mes Barcelonës dhe Real Madrid. /albeu.com/
Shtuar më 02/10/2014, ora 09:36
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori