Portugalia dominon dhe dërgon Zvicrën në Play Off
Kombëtarja e Portugalisë e ka siguruar pjesëmarrjen në Kampionatin Botëror, ‘Rusia 2018’, pas fitores prej 2-0 kundër Zvicrës.

Në ndeshjen e zhvilluar në Estadio da Luz në Lisbonë, mysafirëve ku luajnë shumë shqiptarë, u mjaftonte vetëm barazimi. Mirëpo, ata nuk arritën që të nxirrnin së paku një pikë për të qëndruar në krye të Grupit B, ashtu që kualifikimin e mëtutjeshëm do ta kërkojnë me anë të ‘play-offit’.

Rezultati u zhbllokua në minutën e 41-të. Pas një rrëmuje të krijuar para portës së mysafirëve, topi e kaloi vijën fatale. Goli u regjistrua si autogol i Johan Djourou.

Ky ishte goli i vetëm i pjesës së parë dhe portugezët shkuan në pushim me epërsi. Skuadra nikoqire ia doli të realizonte edhe në gjysmën e dytë. Bernardo Silva e dërgoi topin në zonë drejt Andre Silvas, i cili nuk e pati të vështirë të shënonte në portën e zbrazët (57’).

Në pjesën e mbetur të takimit nuk u shënuan gola të tjerë, ashtu që portugezët arkëtuan tri pikë nga ky takim.

Në këtë mënyrë, Portugalia u barazua me pikë me Zvicrën në Grupin B, me nga 27 pikë, por Cristiano Ronaldo dhe bashkëlojtarët e tij do të jenë në Rusi falë golaverazhit më të mirë.

Zvicra e shqiptarëve do ta kërkojë pjesëmarrjen në Kampionatin Botëror nëpërmjet ‘play-offit’. / albeu.com /
Shtuar më 11/10/2017, ora 09:23
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori