Prandelli: Fitorja me Anglinë, epike
Është njeriu i ndeshjes në Manaus. Italia e tij pavarësisht të gjitha dyshimeve që e shoqëruan deri në mbërritjen në Brazil, arriti jo vetëm t’i gjunjëzojë "Tre Luanët" e Roy Hodgson, por ka kënaqur me lojën spektakolare. Tekniku i të kaltërve, Cesare Prandelli e ka konfirmuar titullar, e vlerëson në maksimum, por ndërkohë preferon ta motivojë edhe më tepër Super Marion, heroin e takimit në "Arena Amazonia".

"Ua kam thënë se mund të bëjë akoma më shumë. Duhet të mësojë që me lëvizjet e tij mund të finalizojë lojën. Me forcën që ka, duhet të japë edhe më shumë për skuadrën", është shprehur tekniku italian.

Inkurajim për Balotellin dhe fjalë më të ëmbla ndërkohë për skuadrën e kaltër.

"Ishte një ndeshje epike që do ta kujtojmë gjatë gjithë jetës, kundër një prej ekipeve më të forta në Botëror. Anglia është vërtet e fortë, ka ndryshuar shumë nga epoka e lojës me topa të gjatë. Tani ka një stil më modern dhe efikas me sistem 4-2-3-1. Po t’i marrim kokë më kokë, nuk kemi lojtarë aq të fortë sa ata, por u treguam të zotë duke shfrytëzuar çdo hapësirë. Pak skuadra e kanë kualitetin tonë në mesin e fushës me klasin e Pirlos, që dirigjon aksionet", vijoi Prandelli.

Për Prandellin, loja e italianëve në Amazonia ishte e vështirë ashtu siç ishte parashikuar, por asgjë më tepër.

"Pa time-out do të ishte një çmenduri, por për fat të mirë arbitri u tregua i ndjeshëm. Eshtë e vështirë të rikuperosh topin dhe të japësh spektakël në këto kushte, megjithatë jam i kënaqur. Profesionaliteti në stërvitje dhe vuajtja në fushë, këto na bëjnë një skuadër të madhe", është shprehur tekniku i "Axurrëve".

Nga ana tjetër, Mario Balotelli, njeriu që përcaktoi triumfin përballë anglezëve, deklaroi se të gjitha skuadrat e tjera duhet t’i tremben Italisë. Shumë i emocionuar për Botërorin e tij të parë, sulmuesi 23-vjeçar tha se golin ia dedikon gruas së tij të ardhshme që e ndoqi nga shkallët e Amazonias, familjes dhe të gjithë miqve. /albeu.com/
Shtuar më 15/06/2014, ora 11:20
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori