Prapaskenat e transferimit dhe pritja tek Osijek, Kristal Abazaj tregon gjithçka
I mjaftuan 11 minuta lojë për të treguar se çfarë potenciali ka si lojtar. Kristal Abazaj debutoi dje me Osijekun në Kroaci, duke bërë më të mirën e mundshme, një gol me vlerën e tre pikëve për skuadrën kroate, që tashmë mban vendin e dytë në kampionat. Sulmuesi i kombëtares shqiptare ka lënë pas makthet e Belgjikës, mungesën e gjatë të aktivizimit me Anderlecht, duke nisur një aventurë të re në Kroaci, që duket se për futbollsitët shqiptarë është kthyer në “tokën e premtuar”. Në një rrëfim ekskluziv për Telesport, Abazaj tregon prapaskenat e huazimit tek Osijek, ofertat që kishte nga klube të tjera dhe hezitimin e pakuptushëm të Anderlecht për t`a aktivizuar apo për t`a transferuar.

Kristal, urime së pari për golin. Çfarë emocionesh përjetove pasi shënove?

Është diçka e mirë kur arrin të futesh në fushën e lojës dhe të shënosh. Jam shumë i lumtur. Mbi të gjitha jam i lumtur që i dhashë tre pikët skuadrës, sepse këto pikë na mbajnë në vendin e dytë, dhe na krijojnë një distancë prej 5 pikësh me vendin e katërt dhe 2 pikë me vendin e tretë. Falënderoj Zotin dhe shpresoj të vazhdoj kështu.

Çfarë ndodhi në merkato dhe si shkove te Osijek?

Të jem i sinqertë, e dija që në dhjetor që kishte një intersim nga Osijek për mua. Por klubi nuk pranonte të merrte vendime nga dikush tjetër për mua. Donte që ekipin për huazim ta gjente vet. Kishim dy tre ekipe që donin të më merrnin në formë huazimi, por nuk arritëm ta konkretizonim. Arsyet ishin nga më të ndryshmet, dhe as vetë dy ekipet që më kërkonin me ngulm, nuk e kuptoj pse nuk shkova aty. Besoj që ka ndikuar klubi pasi deri në minutat e fundit nuk ka pranuar asnjë lloj oferte për mua, veç ofertës që erdhi ditët e fundit nga Osijeku.

Çfarë po ndodhte në Belgjikë, pse nuk po aktivizoheshe, ndërkohë që klubi hezitonte të transferonte?

Ësthë e vërtetë pse nuk po gjeja hapësirë te Anderlecht. Është një pyetje me vend. As vetë nuk e di se çfarë mund të kisha bërë më shumë, ose çfarë nuk bërë që nuk po luaja. Të jem realist e meritoja të luaja, sepse e vërtetoja në të gjitha seancat stërvitore. Futbolli është i tillë dhe duhet të jesh i fortë mendërisht për ti përballuar të gjitha. Tani duhet të shoh vetëm përpara. Marrëdhënia ime me drejtuesit e Anderlecht ka qenë shumë e mirë. Madje presidentin dua ta falënderoj sepse ka pasur gjithmonë besim tek unë, pavarësisht rrethanave të ndryshme që nuk po luaja për arsye që dhe vetë nuk i di shumë mirë. Por nejse, iku Anderlecht, tani jam i përqëndruar tek Osijeku.

Tani që gjete ekip të ri, çfarë synon të arrrish dhe si të kanë pritur aty?

Me ardhjen time këtu besoj se do kem më shumë minuta, do përvetësoj lojën time, sepse kisha kohë që nuk luaja. Besoj se duke marrë minuta këtu do ringrihem dhe njëherë dhe do gjej formën time më të mirë. Tek Osijek dua ti falënderoj të gjithë sepse më kanë bërë një pritje spektakolare këtu. Shokët e ekipit gjithashtu më kanë bërë të ndihem sikur kemi kohë që njihemi bashkë. Përshtypje më ka bërë ngrohtësia e skuadrës, sepse më kanë bërë një pritje shumë të mirë këtu. Kjo gjë më ka lënë përshtypje shumë shumë të mirë. Kam krijuar një opinion shumë të mirë.

Le të flasim përsëri për Belgjikën. Në fillim kur vendose të transferoheshe tek Anderlecht, mendon se ishte një bast i rrezikshëm?

Nuk besoj që ishte një bast i rrezikshëm. Këtë gjë unë ia kisha vërtetuar Anderlechtit që në fazë përgatitore, ata ishin që nuk më lanë që të ikja që në verë. Kisha oferta në formë huazimi, por ata kishin besim shumë të madh tek unë. Edhe trajneri besonte shumë tek unë, por nuk e di as vetë pse gjërat shkuan kështu. Është diçka që mund t`i ndodhë çdo futbollisti në karrierën e tij, por po mundohem t`a harroj dhe ta lë pas këtë gjë.

Mendon të rikthehesh sërish për të luajtur në Belgjikë?

Nuk mendoj se ku do shkoj në të ardhmen, për momentin jam i fokusuar tek Osijeku dhe dua të jap më të mirën time këtu. Kam mësuar shumë tek Anderlecht sepse kam mësuar shumë gjëra të rëndësishme për futbollin. Do veçoja dhe trafikun, ka shumë trafik (qesh).

E ke ndjekur kampionatin shqiptar dhe si të janë dukur ekipet deri më tani në luftën për titull?

Nuk e kam ndjekur shumë kampionatin tonë. Jam habitur pak me thyerjen e Luftëtarit, normalisht jo për fajin e lojtarëve por për fajin e drejtuesve. Jam i bindur që lojtarët japin maksimumin në çdo ndeshje. Unë i njoh se çfarë çunash janë ata, dhe nuk mund të fajsoj çunat dhe nuk do e bëja kurrë një gjë të tillë. Skënderbeu nuk është ai i frikshmi që ka qenë, ka element cilësor, por nuk e di se çfarë po ndodh. Partizani po bën një kampionat shumë të mirë dhe e përgëzoj. Edhe Teuta ka bërë një kampionat shumë të mirë me kaq sa e kam ndjekur. Edhe Kukësi ka bërë blerje shumë të rëndësishme, por tani duhet t`ia lëmë kohës se çfarë do ndodhi. /Telesport.al/
Shtuar më 18/02/2019, ora 10:00
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori