Prapaskenat, precedentët dhe standardi i dyfishtë i Panuccit me ftesat e lojtarëve
Kombëtarja është në prag të grumbullimit të saj për nisjen e një tjetër gare të rëndësishme, atë të eliminatoreve të Euro 2020. Trajneri Christian Panucci ka vendosur që të publikojë listën me emrat e lojtarëve të grumbulluar të enjten e kësaj jave. Ka shumë interes për të parë se cilët do të jenë 26-të legjionarët, që trajneri kuqezi do të ketë “nën armë” për ndeshjen ndaj Turqisë dhe Andorrës. Në fakt, pak nga emrat e grumbulluar kanë mbetur pa u publikuar, pasi shumica prej tyre janë bërë publik tashmë.

Befasi pritet të ketë, ashtu siç dje u mësua publikisht se Ermir Lenjani, donëse po kalon formë të shkëlqyer në Zvicër, nuk është grumbulluar në kombëtare. Panucci sakaq do të rikthejë disa emra si: Sadiku, Abrashi, Qose, Aliji apo dhe Balliu, të cilët po kalojnë formë të mirë me klubet.

Ndërkohë, ndonëse ende jo përfundimisht, dy zbulimet e kombëtares dhe investimet personale të Christian Panuccit për t`i grumbulluar në kombëtare, Fiorin Durmishaj dhe Marios Vrushaj, kanë “dezertuar” duke refuzuar të vishen kuqezi.

Por jo vetëm këta, një tjetër refuzim është dhe ai i mbrojtësit të djathtë argjentinas me orgjinë arbëreshe, Tomas Guidara, dhe ky një tjetër investim personal i Christian Panuccit, që për gati një vit luftoi për t`i veshur fanellën që identifikon rrënjët e tij. As arbëreshi Guidara nuk ka pranuar të kalojë Atlantikun dhe të rigjejë trojet arbërore, prej nga rrjedhë gjaku i tij.

PRAPASKENAT- Të tre futbollistët e sipërpërmendur kanë qenë një sfidë personale e trajnerit Panucci, që nuk i mohohet përpjekja për t`i veshur kuqezi.

Ish-futbollisti i njohur i disa ekipeve me emër në Serinë A dhe La Ligas, ka shkuar për t`i takuar personalisht të tre lojtarët, Giudarën në Argjentinë, Vrushajn në Hollandë dhe Durmishajn në Greqi. Të tre, në takimin direkt, kanë thënë “po”, por më pas e kanë “dredhur”, duke prerë në besë trajnerin e kombëtares.

Telesport ka mësuar nga burime të sigurta se trajneri kishte bindjen se lojtarët do të vinin, por diçka ka ndryshuar rrugës. Prapaskenat janë këto, të paktën për Vrushajn dhe Durmishajn, ata kanë pranuar të përfaqësojnë Shqipërinë të nxitur edhe nga prindërit e tyre për këtë zgjedhje.

Por rrugës janë kthyer, dhe ai që duket se ka prishur gjithçka është menaxheri i të dy lojtarëve, pasi si Vrushaj dhe Durmishaj, janë pjesë e së njëjtës agjensi menaxhimi në Greqi.

Në fakt, me ndërhyrjen e menaxherit, Marios Vrushajt i është siguruar se do të luajë për shpresat e Greqisë, ndërsa po sipas menaxherit, është Olimpiacos që e ka kërkuar këtë gjë. Këtu, ndonëse nuk ka konfirmim, kuptohet që ndaj lojtarit është ushtruar presion.

Edhe për Durmishajn është pak a shumë e njëjta histori, ku sërish menaxheri është ai që i ka premtuar se në kombëtaren greke do të luajë titullar. Edhe në këtë rast është thënë se klubi i Panionios ka kërkuar një gjë të tillë, por në fakt lojtari është ndjerë nën presion, pasi rrezikonte karrierën nëse do zgjidhte Shqipërinë.

PRECDENTËT- Por në fakt, nuk është hera e parë që Shqipërisë i ndodhin të tilla gjëra. Ka disa raste të cilët Panucci i ka vuajtur mbi shpinë. I pari rast ka qenë Edon Zhegrova, futbollisti i talentuar kosovar, që aktualisht luan për Basel në Zvicër. Në kohën që ky luante në Belgjikë te Genk dhe ende nuk kishte zgjedhur se për kë përfaqësuese do të luante, Panucci shkon e takon personalisht dhe besonte se do lojtari do vinte për Shqipërinë.

Zhegrova në momentet e fundit zgjodhi Kosovën, ndërsa Panucci akuzoi prindërit e lojtarit për këtë. Kjo histori vijoi me Loret Sadikun, i cili ka luajtur më herët me Shqipërinë dhe Suedinë, ndërsa pasi Kosova u anëtarësua në UEFA dhe FIFA, ai dëshironte të luante për Dardanët.

Mirëpo në vjeshtën e shkuar, Panucci e kontaktoi lojtarin dhe ai premtoi se do të vinte në Shqipëri, por në fund e ktheu ftesën mbrapsht dhe trajneri u kap i papërgatitur nga ky refuzim. Këto ishin dy nga rastet më të bujshme, të cilat tregojnë se në çfarë situate ndodhet kombëtarja.

STNDARDI I DYFISHTË- Por nëse për të gjithë emrat e sipërpërmendur trajneri i kombëtares Christian Panucci, është investuar personalisht për ti sjellë në kombëtare, ai ka treguar se ka krijuar një standard të dyfishtë.

Disa javë më parë trajneri italian shkoi në Sllovaki për të vëzhguar nga afër talentin Kristi Qose, që tashmë i ka shkuar ftesa për në kombëtare. Më herët këtë gjë e kishte bërë në Greqi për Durmishajn dhe Hollandë për Vrushajn.

Habia ndodhi me injorimin total të Kroacisë, aty ku disa futbollistë të kombëtares luajnë prej kohësh. Nëse Myrto Uzuni dhe Ardjan Ismajli po kalojnë formë të mirë, trajneri Panucci nuk e mori mundimin që të paktën të shihte nga afër Kristal Abazajn i sapo transferuar tek Osijeku në Kroaci, apo Franceso Tahirajn, talentin që la Aluminij në Slloveni për Hajduk Splitin në Kroaci. Tahiraj është një nga lojtarët më të aktivizuar këtë sezon, me 9 gola të shënuar dhe disa asiste të ofruar, shkruan TeleSport.

Asnjë mundim nga trajneri, të paktën ta kontaktonte lojtarin dhe t`i thoshte se është në planet e tij. Në këtë linjë vijohet edhe me Taulant Seferin, të cilit deri më tani i kanë shkuar tre ftesa nga kombëtarja e Maqedonisë, por të refuzuara të treja nga lojtari, i cili po bën sezon të shkëlqyer në Zvicër.

Edhe në këtë rast trajneri nuk ka denjuar të kotaktojë lojtarin, të paktën t`i thotë që je në planet e kombëtares. Për të mos përmendur këtu edhe rastin e Azdren Lullakut, apo disa lojtarëve të tjerë që po shkëlqejnë me klubet e tyre.
Shtuar më 11/03/2019, ora 10:27
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori