Përballja me Italinë, De Biazi: Shpresoj që ata të gabojnë
Në ceremoninë ku u nderua me titullin “Urdhri i Yllit të Italisë”, Xhani De Biazi u pyet edhe për takimin e 24 marsit mes Italisë dhe Shqipërisë në Palermo.

“Unë uroj shumë që Italia të bëjë mirë në këto eliminatore si italian që jam, megjithatë shpresoj më shumë që të gabojë vetëm në dy ndeshjet që do të ketë me ne, në muajin mars dhe më pas në ndeshjen e kthimit. A do t’i këndoj të dyja himnet? Italianin e kam më të thjeshtë, pasi i di fjalët. Ndërsa për atë shqiptar kam nevojë për pak karaoke”, u shpreh tekniku.

Përtej batutave, De Biazi konfirmoi se grumbullimi para ndeshjes me të kaltrit do të zhvillohet në Shqipëri, ndërsa fakti që disa futbollistë të Kombëtares luajnë në ekipe italiane është një plus më shumë për ne.

“Futbollistët shqiptarë që luajnë në Itali kanë një motivim më shumë për këtë sfidë. Do të kemi përballë një skuadër të jashtëzakonshme, që kërkon të kualifikohet në Botëror. Ne do të kemi vetëm katër ditë për ta përgatitur këtë ndeshje; është një kohë e shkurtër, por do të bëjmë maksimumin. A do të isha i kënaqur me një barazim? Unë do të isha i kënaqur nëse luajmë mirë, bëjmë një paraqitje pozitive dhe mbi të gjitha dinjitoze, pastaj rezultatin le t’ia lëmë fushës së lojës”./Albeu.com/
Shtuar më 07/02/2017, ora 19:52
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori