Presidenti Bayern Munchen: Do të bëjmë investime rekord këtë verë

"Revolucioni" ishte planifikuar paraprakisht, por eliminimi i pazakontë, në mënyrë të parakohshme, nga Liga e Kampionëve i ka dhënë forcë bindjes së Bayernit për ta rinovuar thellësisht grupin e lojtarëve për sezonin e ardhshëm.

Presidenti i klubit bavarez, Uli Hoeness, befasoi të martën, në një takim financiar në Mynih, kur tha:

"Ne jemi në procesin e rinovimit të ekipit. Ky është plani më i madh i investimeve, që ka pasur ndonjëherë te Bayern Munich".

Kësaj deklarate i është bërë jehonë nga gazeta e njohur gjermane, “Bild”. Në Gjermani kanë filluar spekulimet mbi faturën përfundimtare, që do të ketë ky "revolucion" në skuadrën bavareze. Pa u hapur merkatoja, tashmë janë shpenzuar 35 milionë euro, sipas dakordimit me Stuttgart në janar, për transferimin e kampionit të botës me Francën, Benjamin Pavard.

Ky ishte vetëm hapi i parë i një "mësymje", në të cilën Bayern Munich do të futet i “armatosur” me 255 milionë euro. Kjo shifër, siç tha Hoeness, përbën investimin më të madh në përforcime, në historinë e klubit me qendër në Mynih.

Ndër objektivat e bavarezëve janë: Lucas Hernandez i Atletico Madridit, që u tentua në merkaton e dimrit; Timo Werner (RB Leipzig) dhe Kai Havertz (Leverkusen). Nënshkrimi më i shtrenjtë në historinë e Bayernit deri tani është Corentin Tolisso, për transferimin e të cilit, kampionët gjermanë paguan 41.5 milionë euro te Lyon, në verën e vitit 2017. /albeu.com/

Shtuar më 20/03/2019, ora 19:17
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori