Presidenti Duka urim special për 85 vjetorin e Dritëro Agollit
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka i ka dërguar një mesazh urimit shkrimtarit të njohur Dritëro Agolli në përvjetorin e 85-të të lindjes së tij.

Numri një i federatës i ka dërguar një letër duke vlerësuar kontributin e tij në letërsinë shqiptare, por edhe për faktin që ka qenë një ndër intelektualët e parë që mbështetën kombëtaren në fushatën për kualifikimin për në "Euro 2016"

Ja letra e plotë e Dukës për Dritëro Agollin

"I nderuar Dritëro!
Kam kënaqësinë dhe nderin, t’ju uroj sot, me rastin e 85 vjetorit të ditëlindjes. Në emër të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe në emrin tim, pranoni fort i respektuari Dritëro, urimet më të mira për një jetë të gjatë, të lumtur dhe të shëndetshme. Lutem shumë, që të vazhdoni të jeni vital e produktiv, për të vijuar të jepni kontributin tuaj të papërsëritshëm, jo vetëm për letërsinë shqiptare, por edhe për emancipimin social të jetës së vendit. Si një prej korifenjve të letrave shqipe dhe si një prej intelektualëve më të shquar shqiptarë të këtyre dy shekujve të fundit, dëshirojmë të gjithë që t’ju kemi sa më gjatë midis nesh.

I dashur Dritëro,
Për mua dhe komunitetin e futbollit, kanë mbetur të paharruara, çastet përpara finaleve të Europianit “Francë 2016” ku Ju, ishit ndër të parët që ju bashkuat fushatës së intelektualëve shqiptarë që mbështetën kombëtaren. Ju falenderoj edhe në emrin e ekipit dhe stafit për këtë nder që na bëtë. Më kanë mbetur në mend dhe dua ti përsëris fjalët e Tua të ngrohta, në takimin e përzemërt që patëm përpara finaleve të Europianit, në Tiranë: “Në jetën time, nuk kam besuar kurrë në Zot. Pra kam qenë ateist. Nuk e di në kam bërë mirë apo keq por kjo ka qenë bindja ime. Por kur ju dhe ekipi të shkojë në Europianin francez, unë do të lutem për ju”.

Këto fjalë magjike, ne i kujtonim shpesh gjatë fushatës së Francës. Ishte një frymëzim i madh për ne, kur mendonim se një prej njerëzve më të shquar që ka nxjerrë Shqipëria, i cili qëndron në piedestalin e baballarëve të kombit, lutej për suksesin e kombëtares shqiptare të futbollit.
Faleminderit nga zemra.

Ju lutem, edhe njëherë, të pranoni urimet më të mira me rastin e 85 vjetorit të ditëlindjes tuaj".
Shtuar më 13/10/2016, ora 15:01
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori