Presidenti i Federatës Italiane të Futbollit: Nuk dua që futbolli të ndalet, por vendos qeveria
Presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Gabriele Gravina ka dhënë një intervistë për mediat italiane mbrëmjen e djeshme, ku u ndal te rifillimi i kampionatit brenda muajit qershor dhe e cilësoi këtë një hap shumë të rëndësishëm.

"Të ndaleshim sot do të ishte një zhgënjim. Nëse futbolli nuk rifillon do të ketë një impakt të madh në ekonominë e këtij sporti, por edhe të vendit, pasi është një sektor që xhiron rreth 5 miliardë euro në vit", deklaroi kreu i FIGC.

Më pas Gravina tha se edhe vetë ky sport është ndarë në dy kampe, ata që duan t’i shkojnë deri në fund dhe të tjerë që duan ndërprerjen, por shtoi se federate ka bërë gati protokollin për të rinisur seancat stërvitore.

"Unë nuk e kam marrë kurrë në konsideratë idenë për të ndalur futbollin dhe nuk do ta marr as këtë herë, ndaj po ia lë qeverisë. Nuk mund të jem sipërmarrësi i futbollit italian, edhe për faktin që klubet janë ndarë në dy kampe, ata që duan të vazhdojmë dhe të tjerë që duan të ndalemi. Ne kemi përgatitur protokollin dhe ia kemi dërguar qeverisë, e cila do të vendosë nëse do të rifillojmë apo jo më datën 4 maj. Sipas parashikimeve të specialistëve, në muajin qershor Italia do të kalojë një periudhë frymëmarrjeje, ndaj shpresoj që të rifillojmë atëherë më ndeshjet", u shpreh Gravina.
Shtuar më 20/04/2020, ora 10:58
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori