Presidenti i Fiorentinës tallet me Juven: Një emigrant i gjorë erdhi dhe financoi familjen Agnelli
Kalimi i Federiko Kiezës nga Fiorentina te Juventusi nuk është pritur mirë nga tifozët e skuadrës së qytetit të Firences.

Edhe vetë presidenti i kësaj skuadre, Roko Komizo, në fakt nuk e pëlqente idenë që të çonte një futbollist te skuadra që në qytet urrejnë më shumë, por në fund është dorëzuar para dëshirës së futbollistit.

Ai gjithsesi nuk ka ngurruar që të bëjë ironi për këtë transferim në një intervistë, duke kujtuar mënyrën se si ishte ndërtuar marrëveshja e transferimit. “Një emigrant i gjorë u desh të kthehej në Itali për të financuar familjen Anjeli duke ua shitur një futbollist me këste”, tha ai duke qeshur.

“Askush nuk më solli përpara një ofertë përfundimtare për Kiezën gjatë kësaj kohe. Jam i zhgënjyer për mënyrën se si u soll ai, nuk mora asnjë telefonatë. Na u desh të dërgonim dokumentet në Koverçiano, pasi ai nuk dëshironte të vinte te fushat stërvitore të na përshëndeste. Enriko më dërgoi një mesazh, por jo Federiko”, tregoi presidenti i Fiorentinës mënyrën aspak normale në të cilën ishte ndarë nga sulmuesi që u bë pjesë e Juventusit në ditët e fundit të merkatos.
Shtuar më 12/10/2020, ora 23:18
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori