Presidenti i La Liga-s "çmend" Spanjën: Messi i nevojshëm, Ronaldo dhe Neymar, jo
Presidenti i La Ligës, Javier Tebas, ka thënë se Neymari dhe Cristiano Ronaldo nuk janë aq të rëndësishëm në ligë sa Lionel Messi, edhe pse shtoi se do t’i pëlqente ta shihte yllin e Paris Saint-Germainit në Spanjë.

Neymari ka qenë i përfolur për një kthim në Spanjë gjatë kësaj vere, pas interesimit të Barcelonës dhe Real Madridit për të. Si pasojë e kësaj, ai ka munguar në tri ndeshjet e para të PSG-së në këtë sezon të Ligue 1, transmeton Gazeta Express.

Kthimi në Barcelonë është parë si më i mundshmi për brazilianin, veçanërisht pasi që katalonasit e larguan Philippe Coutinhon në formë huazimi. Mirëpo, në garë për futbollistin është edhe Real Madridi.

E ardhmja e yllit brazilian mbetet e dyshimtë pasi që Thomas Tuchel deklaroi se të dielën se është i pasigurt se çfarë do të ndodhë me Neymarin para se të mbyllet afati kalimtar i verës këtë javë.

Dhe Tebas e pranon se atij do t’i pëlqente ta kishte Neymarin sërish në Spanjë, qoftë në Real Madrid e qoftë në Barcelonë. Mirëpo, prezenca e Neymarit në La Liga nuk është po aq e rëndësishme sa prezenca e Messit për Tebasin.

“Po, natyrisht që do të më pëlqente kthimi i Neymarit. Me cilësitë e tij, ai është në top treshen e lojtarëve më të mirë në botë. Do të ishte shumë e rëndësishme për La Ligën nëse ai do të vinte sërish, edhe pse ardhja e tij nuk është përcaktuese për ligën spanjolle”, ka thënë Tebas.

“Gjëja përcaktuese është se ne luajmë dhjetë muaj në vit, me 20 klube që luajnë kundër njëri-tjetrit dhe çdo fundjavë sjell pasion dhe gëzim për tifozët – si një Spanjë, ashtu edhe në botë”.

“Një lojtar si Neymari të sjellë tifozë të rinj në vendet që e përcjellin atë, por ai nuk është element esencial, i tillë nuk ishte as Cristiano Ronaldo. Lionel Messi, në anën tjetër, është element esencial sepse ai është trashëgimia e La Ligës”.
Shtuar më 27/08/2019, ora 12:11
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori