Presidenti i Sampdorias sërish protagonist: Koronavirusi nuk vret, koha t’i rikthehemi normalitetit
Presidenti i Sampdorias Massimo Ferrero është bërë shpesh protagonist me mënyrën e të festuarit në shkallët e stadiumit apo me deklaratat e tij, ndërsa këtë herë ka zënë faqet e para të mediave për komentet e tij mbi koronavirusin.

Numri një i klubit gjenovez deklaroi se koronavirusi nuk vret dhe se tani duhet lënë mënjanë për t’iu rikthyer normalitetit të jetës dhe normalisht edhe të futbollit, që prej kohësh luhet pa praninë e tifozëve.

"Nga koronavirusi nuk vdes. Të respektojmë sëmundjen, por jo ta ekzagjerojmë. Shkencëtarët dalin nëpër studio televizive dhe çdonjëri thotë diçka ndryshe. Mendoj se ka ardhur koha që edhe tamponët t’i lëmë mënjanë", tha Ferrero.

Më pas presidenti i Sampdorias hodhi tërësisht poshtë idenë e grumbullimit të skuadrave të Serisë A në një vend për të luajtur, ashtu siç u veprua në NBA, teksa theksoi se tani ka ardhur koha që të hapen stadiumet në masën 30%.

"Pasiguria po vret mendjet e njerëzve. Shumë shpejt do të mbyllim spitalet për trupin dhe do të hapim ata për kokën. Unë u detyrova të mbyll kinematë, ndërsa tani ka edhe probleme me futbollin dhe kjo po mbyll jetën e njerëzve. Ka ardhur koha që të hapim stadiumet në masën 30% të kapacitetit", u shpreh presidenti i Sampdorias.
Shtuar më 14/10/2020, ora 15:24
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori