Presidenti i UEFA-s i bën thirje BE për transferimin e lojtarëve
Pëlqej
Organi më i lartë drejtues i futbollit në Kontinentin e Vjetër i ka kërkuar Bashkimit Europian që të ndërhyjë për të kufizuar transferimin e lojtarëve jashtë kufijve të një vendi, duke hequr futbollin nga kuadri i lëvizjes së lirë të punëtorëve.

A mund të lirohet futbolli nga disa ligje të vecanta europiane? Kjo është dëshira e posaçme e presidentit të UEFA-s Aleksander Ceferin, i cili i kërkon Bashkimit Evropian që të rishikojë rregullat për lëvizjen e lirë të punëtorëve, në këtë sport. Qëllimi natyrisht është i qartë: për të kufizuar transferimin e lojtarëve jashtë vendit, në mënyrë që të zvogëlohet diferenca përsa i përket nivelit ndërmjet klubeve.

50-vjecari slloven është i mendimit se nëse lojtarët ose fëmijët largohen herët nga klubet e vegjël apo vendet e vogla atëherë kjo gjë dëmton në mënyrë të drejtpërdrejtë konkurrencën.

Presidenti Ceferin deklaroi se UEFA ka bërë të qarta problemet në lidhje me këtë cështje dhe pikat e vecanta ku nevojitet mbështetja e ligjvënësve evropianë. Drejtuesi më i lartë i Konfederatës Evropiane të Futbollit shpjegoi ditën e mërkurë në Bruksel se për momentin është e vështirë për të ofruar zgjidhje, megjithatë Aleksander Ceferin konfirmoi se diskutimet ndërmjet palëve tashmë kanë filluar, raporton Expres.

Në të kaluarën autoritetet e Bashkimit Evropian kanë hedhur poshtë përpjekjet e drejtuesve të futbollit për të vendosur kufizime mbi lëvizjen e lirë të futbollistëve përtej kufijve.

Presidenti Ceferin mbylli fjalën e tij duke iu drejtuar të pranishmëve se nuk duhet qëndruar më duarkryq, pasi nuk është më koha për të adoptuar politikën e pritjes dhe të shikimit, por nevojitet që të ndahet përfundimisht qëllimi që UEFA po përpiqet të arrijë, duke iu referuar kështu shtimit të rivalitetit, hapjes dhe paparashikueshmërisë në aktivitetet e ndryshme futbollistike. /albeu.com/
Shtuar më 24/05/2018, ora 22:30
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori