Presidenti i Zyrihut paralajmëron klubet për Sadikun
Goli ndaj Rumanisë e ka shndërruar Armando Sadikun në një hero kombëtar në Shqipëri.

Për sulmuesin shqiptar është zgjuar interesimi edhe nga klube të rëndësishme.

Por futbollisti është në kontratë me Zyrihun, që ka rënë në kategorinë e dytë zvicerane dhe presidenti i këtij klubi, Ançilo Kanepa, ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend të heqë dorë lehtësisht nga ai.

“Do të na duhen golat e tij nëse duam të kthehemi sa më shpejt në elitë”, tha Kanepa për mediat zvicerane gjatë ditës së djeshme.

I pyetur nëse një ofertë e majme do ta bënte të ndryshonte mendje, presidenti i Zyrihut tha se nuk po mendonte për shitjen e futbollistit.

“As nuk na shkon ndërmend që ta shesim Armandon”, shtoi ai, një qëndrim krejt i ndryshëm nga janari, kur klubi hoqi dorë lehtësisht nga sulmuesi për ta huazuar te Vaduzi.

Një person i cili po shtyn Sadikun drejt largimit është padyshim Xhani De Biazi, i cili është i sigurte se ai mund t’i bëjë vend vetes në një kampionat më të fortë si Seria A.

“Nëse ai mund të lirohet nga mbrojtës si Koshçielni dhe Rami, kjo tregon se ka atë që nevojitet për të luajtur në një kampionat si Seria A”, tha tekniku i kuqezinjve. /albeu.com/
Shtuar më 21/06/2016, ora 10:22
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori