Prezantohet Ramsey: Tregon arsyet pse zgjodha Juventusin
Kishte firmosur me Juventusin që prej janarit të kaluar, por iu bashkua skuadrës bardhezi vetëm në fund të sezonit, kur i përfundoi zyrtarisht kontrata me Arsenalin.

Bëhet fjalë për uellsianin Aron Ramsey, i cili sot u prezantua zyrtarisht te skuadra bardhezi dhe foli për gjendjen e tij fizike e vendimin për të zgjedhur Juven.

“Pësova një dëmtim në javët e fundit të sezonit, por po përmirësohem. Shumë shpejt do të filloj me ngarkesën e plotë dhe shpresoj të jem gati sa më parë, për të ndihmuar ekipin. Kur mësova se Juve interesohej për mua, nuk u mendova gjatë, pasi dihet emri i kësaj skuadre. Më joshi ideja për të luajtur në nivele të larta dhe për të provuar një tjetër lloj futbolli e mënyrë jetese. Besoj se jam gati për këtë aventurë”, tha uellsiani.

Aron Ramsey është një fantazist, që detyrën e tij e ka të furnizojë skuadrën me asiste, por te Arsenal tregoi që është një njohës i mirë i portës kundërshtare dhe di të shënojë shumë shpesh. Uellsiani foli me superlativa edhe për trajnerin e ri të bardhezinjve, Maurizio Sarri.

“Më pëlqen të ndihmoj skuadrën me gola dhe asiste, por ndërmjet këtyre të dyjave, nuk kam shumë preferenca. Jam gati të bëj më të mirën për skuadrën. Sarri arriti dy finale që në vitin e parë në Angli dhe fitoi njërën prej tyre. Është një trajner me ide të qarta dhe tifoz i lojës së bukur, ashtu si më pëlqen edhe mua”, deklaroi Ramsey.
Shtuar më 15/07/2019, ora 16:21
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori