Prishtina dhe Trepça '89 drejt Superligës shqiptare
Klubi i futbollit Prishtina dhe Trepça 89 do kërkojnë të luajnë në kampionatin shqiptar sezonin e ri. Lajmi konfirmohet nga presidenti i Prishtinës, Remzi Ejupi, i cili në një intervistë për "Panorama Sport" ka pohuar se të dyja klubet po merrem me plotësimin e dokumentacionit.

Si fillim do të kërkohet regjistrimi në një qytet të Shqipërisë, ku do jetë edhe de jure selia e klubit dhe më pas do bëhet edhe kërkesa zyrtare në FSHF.

Sipas informacioneve, Prishtina ka tentuar për momentin regjistrimin në Bashkinë e Fierit, por duhet theksuar se sipas Ejupit vendndodhja e selisë është krejt formale dhe ajo që përbën ngërç është fakti nëse klubet e Superiores do pranojnë që këto dy klube të luajnë direkt në elitën e futbollit shqiptar, apo jo. /albeu.com/


Një pjesë e intervistës:

Nuk e dimë sa e vërtetë është, por, sipas informacioneve që kemi, FC Prishtina që ju drejtoni po tenton sërish për t’u regjistruar në kampionatin shqiptar të futbollit…

"Po është e vërtetë. Unë nuk kam udhëtuar drejt Shqipërisë, pra nuk po merrem unë personalisht, por ia kemi lënë në dorë avokatit tonë, i cili ndodhet në Tiranë, që të merret me dokumentacionin e nevojshëm që ne të regjistrohemi në kampionatin shqiptar të futbollit".

A mund të na shpjegoni se deri ku janë përgatitjet dhe a keni bërë kërkesë në Federatën Shqiptare të Futbollit?

"Jo, nuk kemi bërë ende kërkesë zyrtare në federatë, pasi si fillim avokati po merret me përgatitjen e gjithë dosjes juridike, konform rregullave dhe statutit të FSHF-së, FIFA-s dhe UEFAs. Si fillim do të bëjmë një regjistrim në një qytet të Shqipërisë, ku do kemi edhe selinë dhe më pas do bëjmë edhe kërkesën zyrtare në FSHF".

E keni menduar se ku do ta keni selinë?
"Realisht, kjo është pjesa më e lehtë për ne, pasi nuk kemi asnjë problem apo për sa i përket zgjedhjes së qytetit apo vendit. Nëse do regjistrohemi në Tiranë, ndoshta do të ishte më mirë, por gjithsesi ka pak rëndësi. Pasi të bëjmë kërkesën te një bashki në Shqipëri, do kërkohet që të miratohet formalisht selia e klubit edhe nga ana e Këshillit Bashkiak të atij qyteti dhe pas kësaj do shkojmë në FSHF për të formalizuar për më tej dëshirën tonë për të marrë pjesë në kampionatin shqiptar".

Shtuar më 24/01/2013, ora 14:40
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori