PSG në sulm për Wayne Rooney
Pëlqej
Merkatoja e verës nuk është mbyllur ende me temperaturat që mund të ngjiten edhe më shumë nga goditjet sensacionale në futbollin europian. I tillë mund të jetë edhe largimi i Wayne Rooney nga Anglia, ikonës së Manchester United. Paris Saint Germain hoqi dorë pak ditë më parë nga Angel di Maria me pretekstin se argjentinasi i Real Madrid kushton shumë. Arsyeja me sa duket nuk ka qënë ajo që deklaroi presidenti Al-Khelaifi, të paktën nëse fjalët e një gazetari të mirënjohur francez janë të vërteta.

Laurent Perrin rrëfen se parizienët e sheikut nga Katari janë vënë në ndjekje të Rooney dhe madje sipas tij, mes dy klubeve është diskutuar konkretisht për këtë lëvizje që do të shkaktonte tronditje te tifozët e United.

Në tratativa sipas gazetarit të "Le Parisien", mund të përfshihet edhe kartoni i Edinson Cavanit, megjithatë kjo lëvizje nuk shikohet me sy shumë të mirë nga Laurent Blanc. Trajneri i kampionëve të Francës do të kishte probleme me vendosjen e Rooney në fushë, i cili ndryshe nga Cavani nuk mund të luajë në të djathtë dhe në këtë krah, Blanc preferon më shumë brazilianin Lucas.

Gjithsesi për të mbërritur deri te firma me sulmuesin anglez, Paris Saint Germain ka një mal për të ngjitur. Në shkurt të këtij viti, Rooney firmosi kontratën e re me United, pa harruar faktin që konsiderohet i domosdoshëm nga trajneri i ri Van Gaal. /albeu.com/
Shtuar më 12/08/2014, ora 10:13
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori