Qëndrimi në stol nervozon Dybalan, debaton me Paraticin
Paulo Dybala nuk po kalon një moment aspak të mirë në këtë fillim sezoni te Juventusi, pasi nuk ka zbritur ende në fushë dhe përballjen ndaj Crotones në transfertë e pa të gjithën nga pankina.

Kaq mjaftoi që në përfundim të ndeshjet të debatonte me Drejtorin Sportiv Fabio Paratici, ndaj të cilin shprehu të gjithë pakënaqësinë e mosaktivizimit, megjithatë Andrea Pirlo ende nuk ka dhënë sinjale se beson te argjentinasi.

Kjo ishte ndeshja e dytë radhazi që Dybala e ndjek nga stoli pa zbritur në fushë qoftë edhe një minutë të vetme, ndërsa tani shpresa e argjentinasit është që të luajë titullar në Ligën e Kampionëve ndaj Dynano Kiev.

Për më tepër, sulmuesi argjentinas nuk po rinovon as kontratën me Juventusin, pasi palët janë ende larg mes kërkesës dhe ofertës për pagën vjetore. Kontrata aktuale e Dybalës skadon më 30 qershor të 2022-shit dhe sulmuesi është treguar u gatshëm të rinovojë por me disa garanci.

Kështu numri 10 i Juventusit kërkon një rol qendror në projektin e klubit dhe mbi të gjitha kërkon dyfishimin e pagës aktuale, pra nga 7.5 milionë euro në 15 milionë euro në vit dhe ka stepur jo pak drejtuesit e klubit torinez.

E ndërkohë që negociatat për rinovimin vijojnë, edhe trajneri Andrea Pirlo nuk ofron shumë garanci aktivizimi për Dybalën, pasi skema që ai dëshiron të përdorë është ajo 3-5-2 me Ronaldon dhe Dybalën.

Ashtu siç u pa edhe sezonin e kaluar, aktivizimi i Dybalës me Ronaldon nga fillimi është mjaft i vështirë, pasi prish ekuilibrat e skuadrës dhe për më tepër të dy futbollistët kanë të njëjtën zonë lëvizjeje në fushën e lojës.
Shtuar më 19/10/2020, ora 16:03
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori