Radamel Falcao te Juventus?
Pëlqej
Kur ka mbetur vetëm një javë nga mbyllja e merkatos, ëndrra Radamel Falcao për Juventusin nuk është më edhe aq e pamundur. Klubi bardhezi kërkon ta marrë kolumbianin në formë huazimi dhe duke u bazuar tek ajo që shkruan "La Gazzeta Dello Sport", Monaco mund ndezë nesër dritën jeshile për një transferim të mundshëm të "El Tigre"-s në Torino. Megjithatë përpara se të bëjë të mundur këtë transferim, Juventusi duhet të gjejë një destinacion të ri për Fernando Llorenten i cili kërkohet me ngulm nga Valencia.

Nëse Monaco vetëm pak muaj më parë nuk kishte asnjë interes për të larguar yllin e saj, tashmë presidenti i klubit të principatës, Dimitri Rybolovlev po mendon seriozisht të privohet nga kolumbiani. Manjati rus këtë vit ka vendosur të mos shpenzojë më në merkato dhe një huazim i Falcaos që te Monaco përfiton 12 milionë euro në vit do të ishte një biznes i mirë për të.

Edhe vetë sulmuesi ka kërkuar largimin nga Principata pasi nuk e bind më projekti i klubit që këtë verë shiti James Rodriguez te Real Madrid, aq më tepër që skuadra e ka nisur kampionatin francez me dy disfata të njëpasnjëshme. Të gjitha këto fakte të mbledhura së bashku kanë bërë që Falcao të mos ndihet më i lumtur te Monaco duke kërkuar largimin nga nënkampionët e Francës.

Për huazimin 1-vjeçar dhe pagën e futbollistit bardhezinjtë duhet të shpenzojnë rreth 20 milionë euro, para këto që mund të vinë nga shitja e Llorentes te Valencia. /albeu.com/
Shtuar më 24/08/2014, ora 13:13
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori