"Rafa out", pritet rikthimi i Mourinhos
Aventura e Rafael Benitez në pankinën e Chelsea mund të mbyllet shumë më shpejt nga sa ishte parashikuar. Tekniku spanjoll mori drejtimin e bluve të Londrës, duke zëvendësuar italianin, Roberto Di Matteo, por ecuria e skuadrës nuk ka shpërblyer aspak pritshmëritë e padronit Roman Abramovic.

Chelsea renditet në vendin e tretë të klasifikimit në Premier League, por diferenca me kryesuesit e Manchester United është thelluar në 16 pikë pas javës së 25-të të kampionatit anglez. Këto shifra kanë nxjerrë formacionin londinez jashtë garës për titullin kampion, ndërsa humbja 3-2 në ndeshjen e fundit kundër Newcastle duket se ka përshpejtuar largimin e Benitez nga Chelsea.

Spanjolli u zgjodh nga drejtuesit e Chelsea si njeriu i duhur që do të drejtonte skuadrën drejt titullit. Ai nënshkroi një kontratë deri në fund të sezonit, ndërsa rezultatet do të vendosnin nëse kjo kontratë do të rinovohej. Shpresat për këtë janë shumë të pakta, madje Benitez përballet me shkarkimin e parakohshëm.

Sipas mediave angleze, Chelsea po mendon për një zëvendësues emergjence që do të drejtojë skuadrën deri në fund të këtij kampionati. Në pankinë pritet të rikthehet Jose Mourinho. Portugezi pret vetëm të mbyllë sezonin me Realin e Madridit, ndërsa kuotat e tij për të marrë drejtimin e Chelsea janë rritur shumë ditët e fundit, teksa flitet edhe për një takim të fshehtë të tij me Abramovic, ku tekniku ka pranuar ofertën për t'u kthyer në Premier League. /albeu.com/
Shtuar më 03/02/2013, ora 14:36
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori