Ramos lë pas Buffon dhe shenjestron legjendën e Egjiptit
Sergio Ramos humbi dy penallti përballë portierit Sommer në barazimin 1-1 të Spanjës në fushën e Zvicrës, megjithatë mbrëmja e mbrojtësit të Real Madridit ka edhe nota pozitive. 34-vjeçari, kapiten i “La Rojas”, luajti ndeshjen numër 177 me kombëtaren, duke lënë pas legjendën e Italisë, portierin Gigi Buffon (176 takime). Ishte pikërisht 42-vjeçari italian që mbante rekordin europian sa u përket pjesëmarrjeve me përfaqësueset.

Në fakt, Ramos u bë vitin e kaluar futbollisti me më shumë ndeshje me Spanjën, në një ndeshje kualifikuese për Euro 2020, në barazimin 1-1 me Norvegjinë. Ndeshja e parë ku futbollisti spanjoll veshi fanellën e përfaqësueses daton më 26 mars 2005, në një miqësore ndaj Kinës.

Ramos tani është vetëm 7 takime larg rekordit botëror, që mbahet nga ish-mesfushori me tipare sulmuese i Egjiptit, Ahmed Hassan, që ka luajtur plot 184 takime me kombëtaren e tij.

Shtuar më 15/11/2020, ora 11:21
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori