Rangnick nuk i kursen elozhet për Havertz: Johan Cruyffi modern
Havertz, Werner, Sancho, Haaland. Katër talent të mëdhenj që me siguri do të jenë protagonistë në vitet e ardhshme dhe këtë e di shumë mirë edhe Ralf Rangnick. "Ndërtuesi" i futbollit të bukur te Red Bull Leipzig dha një intervistë të gjatë për mikrofonat e Sky Sports UK , në të cilën ai foli për talentet e Borussia Dortmund dhe Chelsea.

Havertz: "Nuk kam asnjë dyshim se ai do të ketë sukses dhe do të bëhet një nga lojtarët më të mirë brenda dy ose tri viteve të ardhshme," – tha Rangnick për Sky Sports. – "Ndoshta do t’i duhen disa javë për t’u përshtatur, sepse ai ka një "background" familjar fantastik. E njoh mirë, sepse jam përpjekur ta marr te Leipzigu, por ai ishte plotësisht i përkushtuar ndaj Bayer Leverkusenit.

Ai është një nga ata lojtarë të cilit nuk e gjen ndonjë dobësi në lojën e tij. Është një Johan Cruyff modern, mund të shënojë gola dhe të sigurojë asiste.”

Werner: " Ai u grumbulla me ekipin e parë të Stuttgart që në moshën 17 vjeçare. Kur Stuttgart ra nga kategoria katër vjet më parë, ne u ngritëm në detyrë dhe kështu që menjëherë u përpoqa ta bindja atë që të bashkohej me ne. Me ritmin e tij të jashtëzakonshëm dhe talentin ishte perfekt për ne. Arritëm ta bindim dhe unë i thashë se ai do të bëhej pjesë e kombëtares gjermane brenda dy vjetësh, dhe kjo ndodhi. Ai shënoi gati 20 gola në sezon.

Sancho: "Katër vjet më parë po e ndiqnim dhe gjithashtu takuam Jadon, familjen e tij dhe agjentin e tij. Ralph Hasenhuttl (menaxheri i atëhershëm i Leipzigut, ed.) dhe unë u takuam me ta në Londër, por ai vendosi të shkonte te Borussia. Rritja e tij gjatë tre viteve të fundit ka qenë e mahnitshme. Ai aktualisht është një nga lojtarët më të mirë sulmues në Evropë. Sezonin e kaluar shënoi 18 gola dhe dha 18 asistim, këto janë statistika fenomenale për një sulmues anësor dhe aktualisht në Evropë nuk shoh ndonjë në nivelin e tij. Ai është një nga talentet më të mëdhenj në Evropë ".

Haaland: "Erling është një nga lojtarët e mi të preferuar dhe do të jetë pikë referimi për sulmin në 10-15 vitet e ardhshme. Ai është i gjatë 193 cm, është jashtëzakonisht i shpejtë dhe është i mirë me topin. Ai mund të kontrollojë dhe të mbrojë topin. Gjithashtu mund të jetë nyja lidhëse midis mesfushorëve dhe pjesës tjetër të sulmuesve. Ai është jashtëzakonisht i rrezikshëm para portës, është i mirë në lojë në ajër dhe gjithashtu ka një mentalitet të jashtëzakonshëm. Çdo mëngjes, kur futet në makinë, gjëja e parë që dëgjon është himni i Champions League: kjo tregon mentalitetin që ka ky djalë. Për mua ai është një lojtar fantastik dhe Borussia Dortmund me të vërtetë ka bërë një goditje të shkëlqyeshme, " përfundoi Raginck
Shtuar më 26/09/2020, ora 09:24
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori