Ranieri zbulon se cili trajner e ka ndryshuar botën e futbollit
Trajneri italian Klaudio Ranieri ka folur për triumfin e tij vitin e kaluar, si “Trajneri më i mirë i vitit 2016”, por nuk harron të komentojë edhe kandidatët e këtij viti, si dhe në veçanti trajnerët italianë.

Çfarë rëndësie kishte çmimi i fituar vitin e kaluar, si “Trajneri më i mirë i vitit”?

“Ishte një nder ta fitoja atë çmim, sepse reflektoi edhe historinë e bukur të Lestërit. Ishte një shpërblim fantastik për atë aventurë të paharrueshme që do mbetet përgjithmonë në zemrën time.”

Zidan, Konte dhe Alegri janë nominuar sivjet për këtë çmim. Kush mendoni se do e fitojë?

“Nuk mund të zgjedh dot njërin prej tyre. Të tre janë trajnerë fantastikë, dhe kanë fituar trofe dhe kampionate të vështira, dhe i kanë treguar cilësitë e tyre shumë herë. Dy prej tyre janë italianë, i admiroj, por shpresoj ta fitojë më i miri.”

Çfarë pëlqeni te Konte dhe Alegri?

“Të dy janë të rinj dhe tepër të talentuar. Janë plot me dëshirë dhe të uritur për të menaxhuar lojtarë të mëdhenj, dhe këtë gjë e bëjnë me shumë inteligjencë. Është e vështirë të fitosh gjithmonë, por ata kanë treguar ç’mund të bëjnë.”

Cili trajner italian mendoni se ka patur ndikimin më të madh në futboll me idetë e tyre?

“Personalisht, mendoj se futbolli ndryshoi me Arrigo Sakin. Ai ndryshoi filozofinë e futbollistëve dhe ishin të shumë ata që e ndoqën. Pati ndikim të madh në futboll. Të gjithë e mbajnë mend Milanin e Sakit. Në botë mendojnë përgjithësisht se futbolli italian është vetëm mbrojtës, por ka më shumë se kaq.” / albeu.com /
Shtuar më 09/10/2017, ora 09:38
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori