Rashford optimist: Jap jetën për United, do të kthej klubin aty ku e meriton
Marcus Rashford pretendon se ai e jep jetën e tij për Manchester United dhe ai ka premtuar se do ta kthejë klubin në nivelin ku përket në të vërtetë.

I sjellë në ekipin e parë nga akademia e Manchester Unitedit, tani 21-vjeçar, Marcus Rashfordi do ta nisë sezonin e tij të katërt në Old Trafford dhe ai pret ta luajë një rol edhe më të rëndësishëm gjatë sezonit 2019/20, transmeton Gazeta Express.

Pas largimit të Romelu Lukakus drejt Interit, trajneri Ole Gunnar Solskjaer është në kërkim të një futbollisti në skuadër që mund ta drejtojë sulmin për ndeshjet e këtij sezoni.

Rashfordi nuk e ka mbajtur aspak sekret dëshirën e tij për të luajtur si qendërsulmues e as dëshirën për të qenë i suksesshëm me Manchester Unitedin.

Pasi nënshkroi kontratë të re shumëvjeçare këtë verë, anglezi beson se është gati t’u ndihmojë “Djajve të kuq” t’i lënë në harresë vështirësitë e kaluara gjatë sezoneve të fundit dhe të garojnë për trofe të mëdha.

“Është një moment shumë emocionues. Për mua, unë vetëm doja ta kryeja punën e kontratës dhe ta bëja të qartë se unë jam këtu për klubin. Qëllimi është që ta kthejë klubin aty ku përket, aty ku të gjithë e dinë se duhet të jetë Manchester Unitedi”, ka thënë Rashford.

“Unë e jap jetën time për këtë klub dhe kjo është gjëja më e rëndësishme. Për mua, kur je në një skuadër plot lojtarë të rinj, të cilët i kanë të njëjtat ambicie me ty dhe të njëjtin vullnet, ti pret vetëm suksese”.

“Mund të na duhet pak kohë, por nëse të gjithë i kushtohemi të njëjtit plan, punojmë bashkë si skuadër dhe ne e kemi një trajner të mirë që e njeh klubin dhe që e ndan të njëjtën ambicie, atëherë kush e di se çfarë do të arrijmë?”

Rashfordi dhe Manchester Unitedi do ta nisin sezonin e ri të Premierligës në shtëpi me derbin kundër Chelseat, të dielën.
Shtuar më 10/08/2019, ora 16:53
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori