Reagon Qerimaj: Këta drejtues të KOKSH-it janë Militantë të LSI-së
Vendimi i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, për të mos u përfaqësuar me sportin e Peshëngritjes në Lojërat Olimpike Mesdhetare, që do të mbahen në Spanjë, ka shkaktuar polemika të shumta.

Janë vetë shtangistët ata që kanë kundërshtuar me forcë këtë vendim, që u heq atyre mundësinë për të garuar dhe ngritur lart flamurin kuqezi, për më tepër kur dihet se pikërisht Peshëngritja është sporti që na ka sjellë më shumë medalje neve si komb.

Së fundi ka reaguar edhe Erkand Qerimaj, medalisti i Bronztë në Botërorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në një status në Facebook, Qerimaj hedh akuza të forta mbi drejtuesit e KOKSH-it, duke i cilësuar ata si anëtarë të LSI-së dhe fton që Vettingu të kryhet edhe te drejtuesit e sportit.

Reagimi i Qerimajt në Facebook:

Çmenduri apo Skandal ?? Quajeni si të dëshironi! Sekretari i Komitetit Olimpik bashkë me Presidentin e KOKSH, përjashtojnë pa të drejtë Peshëngritjen nga Lojërat e Mesdheut, një vendim ky i pa bazuar në asnjë ligj shqiptar dhe ndërkombëtar! Edhe më absurd arsyetimi i tyre se meqë Federata Botërore ka dënuar disa shtete, ne po dënojmë tanët pa asnjë arsye logjike. U duket e tepërt të ngrenë Sportistët e Peshëngritjes flamurin Shqiptar në Spanjë! Një Delegacion mbi 80 vetë, që po t’i hedhësh një sy pa pasur nevojë për kontroll të detajuar, dalin se shumë janë turistë e shkojnë për qejf atje, e pse jo me paret e taksapaguesve Shqiptarë. E meqë mu kujtuan abuzimet, Drejtuesit e KOKSH-it do e meritonin një kalim Vettingu, për të parë a thua kanë abuzuar me fondet e bursat Olimpike, mundin dhe djersën tonë! Si mendoni se duhet të veprojmë në këtë situatë ne sportistat, që na mohohet pjesëmarrja në Spanjë, pa asnjë ligj ku thotë se ne duhet të dënohemi, ku na mohohet e drejta për të përfaqësuar kombin e për të ngritur Flamurin Shqiptar. Këta drejtues të KOKSH-it janë Militantë të LSI-së.
Shtuar më 01/05/2018, ora 16:15
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori