Real-Atletico, Ancelotti: Nuk e ndryshojmë stilin e lojës
Pëlqej
Carlo Ancelotti duket i qetë dhe i sigurt për derbin e parë të kampionatit mes Real Madrid dhe Atletico Madrid. "Los Blancos" vijnë në këtë sfidë pas humbjes 4-2 në "San Sebastian" përballë Real Sociedad dhe një tjetër hap fals, aq më tepër kundër "kushërinjve" do të shkaktonte një reaksion zinxhir në brendësi të ekipit por tekniku kampion Europe shfaqet i qetë në konferencën për shtyp.

"Nuk do të ndryshojmë skemën tonë sepse është shumë e rëndësishme që të lëvizim shumë dhe të zhvillojmë një ndeshje me intensitet të lartë. Në Anoeta morëm një leksion të mirë edhe pse për 30 minuta ishim ne ata që kontrolluam lojën. Atletico është një skuadër e fortë dhe shumë agresive prandaj duhet të jemi të kujdesshëm. Stili dhe filozofia jonë nuk do të ndryshojnë sepse në të shkuarën kemi arritur rezultate pozitive", është shprehur italiani.

Cristiano Ronaldo vjen pas një jave intensive ku i është dashur të stërvitet shumë për të hedhur pas krahëve dëmtimin dhe këtë e konfirmon edhe tekniku i "Los Blancos".

"Gëzon një formë të shkëlqyer fizike dhe nuk vuan më nga asnjë problem. Është stërvitur me skuadrën dhe nuk ka më asnjë dhembje. Casillas? Nuk e kam humbur asnjëherë besimin tek ai", vijoi Ancelotti.

James Rodriguez mbetet pikëpyetja më e madhe e Realit aktual sepse kolumbiani nuk ka arritur ende të tregojë talentin e tij për të justifikuar 80 milionë eurot e derdhura për të por tekniku italian kërkon durim sepse sipas tij, ai ka nevojë për t’u përshtatur me skuadrën. Ndërkohë, trajneri Diego Simeone e ka cilësuar Atleticon si skuadra e popullit por Ancelotti nuk preferon të përzihet në këtë debat.

"Të gjitha skuadrat kanë tifozët të shumtë nga radhët e popullit dhe jo vetëm njëra. Në fund të fundit, futbolli është sporti i popullit. Mua më intereson se cila skuadër e kryeqytetit do të arrijë të fitojë në fund të sezonit", përfundoi Carlo Ancelotti.

Ndeshja Real Madrid-Atletico Madrid do të luhet nesër në ora 20:00. /albeu.com/
Shtuar më 12/09/2014, ora 14:12
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori