Real-Bayern, lojtarët që rrezikojnë finalen (FOTO LAJM)

Arjen Robben
Ndeshja mes Bajernit të Mynihut dhe Realit të Madridit ishte mjaft e tensionuar dhe këtë e tregojnë edhe kartonët që u morën nga futbollistët. Bëhet fjalë për nëntë të verdhë, gjashtë prej të cilëve për madrilenët.

Ndërkohë, në ndeshjen e kthimit, e cila do të zhvillohet në stadiumin “Santiago Bernabeu”, ekipet janë të detyruara ta “zbusin” paksa lojën ose, në të kundërt, do të ketë mungesa të rëndësishme në finalen e Champions-it për ekipin që do kualifikohet. Zhoze Murinjo ka paralajmëruar pesë futbollistë të tij që të mos marrin kartonë në sfidën e 25 prillit dhe bëhet fjalë për Marselon, Fabio Koentraon, Serxhio Ramosin, Ksabi Alonson dhe Gonzalo Higuainin.

Kështu, nëse njëri prej tyre do të ndëshkohet në ndeshjen e kthimit ndaj Bajernit, atëherë do detyrohet që ta shikojë finalen (gjithnjë nëse kualifikohet Reali) si spektator.

Por, vetë gjermanët janë akoma më në alarm. Jup Hejnkesi është detyruar të paralajmërojë plot tetë futbollistë që të mos ndëshkohen në Madrid, madje lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës. Arjen Roben, Toni Kros, Tomas Myler, Xherom Boateng, Filip Lahm, Holger Badshtuber, Luis Gustavo dhe David Alaba rrezikojnë skualifikimin për në finale nëse arbitri do t’u nxjerrë kartonë në Madrid.

Të dyja ekipet janë të detyruar që përveç se të kërkojnë një “biletë” për në ndeshjen e fundit të Ligës së Kampioneve, ta realizojnë atë duke zhvilluar një lojë maksimalisht korrekte. Gjithsesi, në pamje të parë duket mjaft e vështirë që të ndodhë, duke marrë parasysh zënkat dhe konfliktet që patën lojtarët me njeri-tjetrin në ndeshjen e së martës. /albeu.com/
Shtuar më 19/04/2012, ora 12:04
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori