Real Madrid, Ancelotti optimist: Fitojmë titullin
Pëlqej
Carlo Ancelotti motivon Real Madridin në prag të sezonit të ri të La Ligas, që për "Los Blancos" do të nisë me sfidën e "Santiago Bernabeu"-t ndaj debutuesve të Cordobas këtë të Hënë. Tekniku italian u shfaq optimist mbi mundësitë që kanë merenegesit për të fituar titullin, ndërsa konfirmoi praninë në fushë që nga minuta e parë të Cristiano Ronaldos në ndeshjen që ekipi i tij do të luajë përballë skuadrës andaluziane.

"Kemi shumë dëshirë për të bërë mirë këtë sezon. Edhe në La Liga-n e shkuar ishim shumë pranë titullit por në fund nuk ja dolëm dot. Do të përpiqemi të përmirësohemi sa më shumë këtë vit. Është e vërtetë që do të jetë një kampionat shumë i vështirë, pasi marrin pjesë shumë ekipe të mëdha, por pavarësisht kësaj ne synojmë titullin. Ronaldo? Ai është mirë dhe ndaj Cordobas do të luajë", është shprehur Ancelotti.

Në vijim të konferencës për shtyp, Ancelotti konfirmoi largimin e argjentinasit Angel Di Maria, ndërsa i surprizoi të gjithë kur foli për të ardhmen e mesfushorit gjerman Sami Khedira.

"Di Maria nuk është stërvitur me ne pasi ka vendosur të largohet. Dua ta falënderoj atë për gjithçka ka dhënë për këtë klub. Ai për mua ishte një lojtar shumë i rëndësishëm dhe klubi bëri çmos për ta mbajtur, megjithatë tashmë nuk na mbetet gjë tjetër veçse të respektojmë vendimin e tij dhe ti urojmë fat në aventurën e tij të re. Përsa i përket Khediras, ai është një futbollist i Realit dhe do të vazhdojë të qëndrojë këtu edhe gjatë sezonit të ardhshëm2, vijoi tekniku i "Los Blancos".

Real Madrid pavarësisht potencialit të madh që ka në sulm ka shënuar shumë pak në këtë fillim sezoni, megjithatë trajneri emilian nuk shqetësohet nga ky fakt.

"Ekipi është në një gjendje të mirë. Kemi një mbrojtje solide dhe dalim me shpejtësi në sulm. Nuk shqetësohem nga shterpësia në finalizim pasi nëse vazhdojmë të luajmë kështu edhe golat do të vijnë", përfundoi Ancelotti. /albeu.com/
Shtuar më 24/08/2014, ora 14:34
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori