Real Madrid, Ancelotti paralajmëron rotacione
Pëlqej
I kënaqur dhe i qetë. Pas marrjes së Superkupës së Europës, Carlo Ancelotti përsëriti të njëjtën ide para gazetarëve, njëlloj si pas "La Decimas" në Champions League. Për teknikun italian, ky sukses tjetër i madh në futbollin kontinental është një hap përpara në ciklin triumfues të galaktikëve që drejton.

"Besoj se kemi nisur një cikël të rëndësishëm. Kemi një skuadër me shumë cilësi dhe unë jam me fat që drejtoj këtë grup lojtarësh, megjithatë duhet të punojmë shumë dhe në disa raste duhet të sakrifikojmë", shprehet Ancelotti.

Elozhe në vijim për punën e gjermanit Toni Kroos i cili debutoi në mesfushën e Realit dhe po ashtu edhe për kolumbianin James Rodriguez: "Kroos luajti mirë, pa probleme, ndërsa James vuajti pak në pjesën e parë, ndërsa në të dytën ishte më mirë".

Pas pushtimit të titullit të parë nga 6 të mundshëm, Ancelotti paralajmëroi se do të ketë rotacion në 11-shen titullare për të garantuar freskinë e skuadrës në çdo kompeticion. Me largimin e Diego Lopez, si dhe me afrimin e Keylor Navas, pasiguria për Iker Casillas është ende prezente.

"Me këtë grup lojtarësh fantastikë nuk mund të mendohet se do të ketë vetëm një 11-she. Që të jemi kompetitivë dhe që të luajnë të gjithë, duhet të ketë patjetër rotacion. Në lidhje me Casillas, çfarë ka ndodhur në Botëror është harruar. Tani fillon një sezon i ri dhe do të shohim nëse do të jetë titullar", vijoi tekniku i "Los Blancos".

Në fund tekniku italian foli për qershinë e tortës madrilene, pra për heroin e padiskutueshëm që shënoi dy herë në portën e Sevillas.

"Ishte fantastike loja e Cristiano Ronaldos, realizoi dy gola të bukur dhe luajti mirë gjatë gjithë takimit. Për këtë arsye u zgjodh më i miri i ndeshjes. Vazhdon të jetë i njëjti, super në formë dhe shënon. Për Bale apo Benzema nuk kam ç’të them, janë lojtarë të jashtëzakonshëm", përfundoi italiani.

Dy gola në Superkupë dhe më pas kurorëzimi si më i miri në Cardiff Stadium. Cristiano Ronaldo tha se ka shumë arsye për t’u ndjerë mirë, pasi kjo ishte ndeshja e parë e sezonit dhe nuk e dinte si do të shkonte. Falë mbështetjes së skuadrës erdhën golat dhe falë tyre, ndjeva besim dhe aspak dhimbje nga dëmtimi, theksoi luzitani me trofeun e tij që iu dorëzua nga ish trajneri i United, Sir Alex Ferguson. /albeu.com/
Shtuar më 13/08/2014, ora 11:11
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori