Real Madrid, Ancelotti vendos për portën
Pëlqej
Çështja e portës vazhdon të jetë një nga temat më të nxehta te Real Madrid. Pas largimit të imponuar të Diego Lopez, është përfolur vazhdimisht se mes dy shtyllave do të rikthehet si titullar kapiteni Iker Casillas, por gardiani veteran duhet të bindë sa nuk është vonë, sepse në skuadër rivaliteti mbetet i ashpër me mbërritjen e yllit të Botërorit, Keylor Navas.

Mediat në Spanjë shkruajnë se, Carlo Ancelotti e ka marrë një vendim paraprak dhe do të jetë pikërisht Casillas zgjedhje e parë, duke filluar nga takimi hapës në kampionat kundër Cordobas, por gjithashtu edhe në Champions League. Siç e do tradita, për Keylor Navas nuk mbetet gjë tjetër, përveç kompeticionit të Kupës së Mbretit.

Ky është vendimi i teknikut italian, për të mos përsëritur skenarin e sezonit të kaluar, kur Casillas dhe Diego Lopez ishin objekt diskutimi në çdo ndeshje. Pas dy takimeve të para në Superkupën e Europës dhe Superkupën e Spanjës, Ancelotti është edhe më i bindur për vazhdimësinë e Casillas në portë, por vendimi gjithsesi nuk është i pakthyeshëm.

Rezultatet në fushën e lojës dhe në stërvitje do të monitorohen gjatë gjithë kohës nga përgatitësi i portierëve madrilenë, Villiam Vecchi, i cili deri tani është dakord me planin e teknikut italian. /albeu.com/
Shtuar më 21/08/2014, ora 09:43
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori