Real Madrid përgënjeshtron mundësinë e dënimit nga FIFA
Real Madrid nuk ka preferuar ta kalojë në heshtje lajmin se bashkë me Atletico Madrid rrezikon të përballet me një bllokadë nga FIFA në dy merkatot e radhës, për shkak të parregullsive në transferimin e lojtarëve minorenë.

Klubi "Los Blancos" reagoi menjëherë përmes një komunikate për shtyp, duke mohuar vërtetësinë e lajmit, si dhe duke këmbëngulur se ka zbatuar me korrektësi çdo normë të FIFA-s.

Konkretisht në deklaratën e Realit, thuhet se informacionet e fundit janë absolutisht false dhe se klubi nuk ka kryer asnjë parregullsi në kontraktimin e lojtarëve minorenë.

Në pikën e dytë thuhet se Reali nuk ka bërë asnjë shkelje në kundërshtim me rregullat e FIFA-s dhe në vazhdim theksi vihet sërish te lajmi i shpërndarë, që konsiderohet si dashakeq dhe që dëmton imazhin e klubit.

Madrilenët shprehin habi, kur përforcimet e fundit lidhen hipotetikisht me sanksionin e mundshëm të FIFA-s. Dhe për të mbyllur reagimin, Reali vë theksin në fund se mbrojtja dhe rritja e shëndetshme e futbollistëve minorenë qëndron mbi interesat sportivë.

Në historinë e bllokadës së merkatos, veç Realit është përmendur edhe Atletico. Nga "Los Colchoneros", jozyrtarisht burime nga brenda klubit gjithashtu mohuan një sanksion të pritshëm nga qeveria botërore e futbollit, duke thënë se Atletico ka vepruar në merkato sipas rregullave të federatës spanjolle dhe FIFA-s. /albeu.com/
Shtuar më 29/04/2015, ora 15:18
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori