Reali ankohet në Federatë për ndeshjen e Barcelonës në Miami
Pëlqej
Real Madridi i ka shkruar Federatës së Futbollit të Spanjës për t’u ankuar për ndeshjen mes Barcelonës dhe Gironës që është planifikuar të zhvillohet në Miami të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

13 herë fituesit e Champions Leagues nuk janë të kënaqur me këtë vendim, pasi që mendon se Barcelona mund të përfitojë nga kjo ndeshje më shumë se Girona, e cila këtë ndeshje do të duhej ta zhvillonte në stadiumin e tij. Për këtë arsye, madrilenët i kanë dërguar letër Federatës së Futbollit të Spanjës.

“Së pari, ne duam ta bëjmë të ditur që Real Madridi nuk është informuar asnjëherë që La Liga kërkon ta zhvillojë këtë ndeshje në Miami dhe kurrë nuk jemi pyetur se çfarë mendojmë për këtë gjë”, shkruhet në letrën e Real Madridit, të nënshkruar nga drejtori i përgjithshëm i klubit, Jose Angel Sanchez.

“La Liga nuk kërkoi të arrinte marrëveshje me Real Madridin, përkundër faktit që kjo ndeshje ndikon në garën në të cilën marrim pjesë edhe ne. Nuk mund ta harrojmë se liga vendore është një garë ku marrin pjesë 20 klube dhe jo dy”.

“Është e rëndësishme që sa herë që dy skuadra ndeshen mes vete dy herë, njëra të jetë në shtëpi, ndërsa tjetra si mysafir, pasi që kjo e garanton integritetin dhe barazinë në këtë garë. Për këtë arsye, Real Madridi e kundërshton ofertën për t’u zhvilluar ndeshja në stadiumin Hard Rock në Miami pasi që kjo e ndikon integritetin dhe barazinë e garës”.
Shtuar më 17/10/2018, ora 18:30
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori