Realit i soset durimi, Jovic drejt Milanit
Milani duket se po i afrohet gjithnjë e më shumë një marrëveshjeje për transferimin e sulmuesit serb Luka Jovic, pasi që Real Madridi raportohet se është dorëzuar në tentimet për ta nxjerrë më të mirën nga futbollisti.

Le Bombe di Vlad raporton se Luka Jovic tashmë ia ka dhënë Milanit dritën e gjelbër për një transferim të tij gjatë afatit kalimtar të verës, pasi nuk ka arritur ta tregojë veten në Santiago Bernabeu.

Real Madridi ia pagoi Eintracht Frankfurtit 60 milionë euro për 22-vjeçarin gjatë afatit kalimtar të verës së kaluar, megjithatë ai arriti t’i shënojë vetëm dy gola në 24 ndeshjet e zhvilluara para pezullimit të sezonit.

Pas aprovimit të raportuar të Jovicit për një transferim në Milan, tani gjiganti italian duhet të negociojë për një marrëveshje me Real Madridin, që mund të jetë i gatshëm të pranojë ta shesë serbin.

Po i njëjti medium raporton se Los Blancos-ve u është sosur durimi me Jovicin, i cili ngjalli pakënaqësi të shumta gjatë karantinës pasi që i shkeli rregullat e vetëizolimit dhe pësoi lëndim në kyçin e këmbës, duke bërë kështu që ta ketë të pamundur të luajë në ndeshjet e ardhshme.

Ndërkohë, kuqezinjtë shohin Jovicin si zëvendësuesin e përsosur për Zlatan Ibrahimovicin dhe duan ta ribashkojnë atë me ish-partnerin e tij të sulmit në Eintracht Frankfurt, Ante Rebicin.
Shtuar më 10/06/2020, ora 16:28
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori