Reina: Privilegj të luash te Barça
Mjafton një fjali e vetme për të turbulluar ujrat dhe të ardhmen e portës së Napolit. Portieri Pepe Reina është shprehur për mediat spanjolle se i pëlqen një rikthim në Spanjë, duke saktësuar se të luash tek Barcelona është një privilegj. Një fjali që hap derën për një transferim në Katalonjë, aty ku kanë nevojë për një portier ekspert duke nisur nga sezoni i ardhshëm. Victor Valdes ka deklaruar prej kohësh që aventura e tij me fanellën blaugrana do të mbyllet këtë sezon, kështu që portieri titullar i skuadrës së Benitez ka përfunduar në shënjestër të Barcelonës.

Madje në jug të Italisë janë të shqetësuar, pasi pavarësisht marrëdhënies së mirë të Reinës me trajnerin Benitez, largimi i tij për të plotësuar ëndrrën, është shumë pranë. T'i thuash jo njërës prej skuadrave më të mira në botë nuk është dicka e thjeshtë, por në këto momente Reina qëndron me këmbë në tokë duke sqaruar dhe situatën.

"Tek Napoli jam ndjerë mirë. Jam shumë i kënaqur, qoftë në nivelin sportiv qoftë dhe në aspektin familjar. Gjithcka po shkon më mirë sesa e prisja. Kur u largova nga Liverpool zgjodha Napolin, pasi e njihja mirë Benitezin. Për më tepër projekti sportiv i De Laurentis është interesant, kampionati është i rëndësishëm dhe kam shok të rinj e me kualitet. Titulli kampion është i vështirë por është dicka e rëndësishme për klubin dhe të gjithë tifozët. Por përpara është Juventus një skuadër që ruan grupin prej shumë vitesh, duke patur edhe futbollistë të shkëlqyer në përbërje, dhe për këtë arsye nuk është e lehtë ta mundësh", është shprehur Pepe Reina.

Pas elozheve për ambientin ku është duke u aktivizuar, në fund gjuha shkon ku i dhemb dhëmbi, me një mendim tek Barcelona, me të cilën ka nisur karrierën tek të rinjtë dhe është tifoz i thekur.

"Është kënaqësi të mësosh që një klub si Barcelona të ndjek me vëmendje, është një privilegj. Nuk kam menduar të kthehem në Spanjë pasi jam realist, nuk e kam patur asnjëherë mundësinë për ta bërë dhe nuk e imagjinoj që dicka e tillë të ndodhë", ka përfunduar portieri i Napolit.

Napoli është i paralajmëruar, pavarësisht se Reina mohon mundësinë e largimit nga "San Paolo". /albeu.com/
Shtuar më 04/12/2013, ora 12:58
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori