Rekuperohet Neymar, gati për trofeun "Gamper"
Pëlqej
Sa më tepër kohë kalon aq më shumë përmirësohet edhe gjëndja e brazilianit, Neymar. Prej disa ditësh 22-vjeçari brazilian e ka lënë pas dëmtimin në shpinë që pësoi në sfidën mes Brazilit dhe Kolumbisë për çerekfinalet e Botërorit, dhe është vënë në dispozicion të trajnerit Luis Enrique.

Në seancën e fundit stërvitore të Barcelonës, ish lojtari i Santosit nuk ndjeu asnjë shqetësim dhe ky është padyshim një sinjal i mirë për blaugranat, që mund të kenë të gatshëm Neymarin për fillimin e sezonit të ri.

Të përditshmet katalanase, "El Mundo Deportivo" dhe "Sport" shkruajnë se Barca mund ta ketë në dispozicion futbollistin brazilian, për ndeshjen e të hënës së ardhshme në Trofeun Gamper, ndaj Club Leon.

Pra sipas asaj që zbulojnë dy gazetat katalanase, debutimi i Neymar për sezonin e ri mund të ndodhë pikërisht në sfidën që Barcelona do të zhvillojë me klubin meksikan. Nëse luan qoftë edhe për disa minuta përballë Club Leon sipas të gjitha gjasave Neymar do të jetë i disponueshëm për ndeshjen e javës së parë të La Ligas ndaj Elches në 24 Gusht.

Vetë 22-vjeçari mezi po pret momentin, për tu rikthyer në fushë. Në faqen e tij në rrjetin social Twitter Neymar iu përgjigj pyetjes së disa tifozëve, teksa u bënte të ditur atyre, se po pret me padurim momentin për të zbritur sërish në fushat e futbollit. /albeu.com/
Shtuar më 14/08/2014, ora 13:14
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori