REZULTATET/ Partizani turpërohet keq nga Besëlidhja
Partizani me një këmbë jashtë Kupës së Shqipërisë. Të kuqtë pësuan një humbje të rëndë dhe turpëruese 3-0 në fushën e Besëlidhjes në takimin e vajtjes së raundit të 1/8-ave të Kupës së Shqipërisë, duke vënë në rrezik serioz kualifikimin.

Skuadra e drejtuar nga Adolfo Sormani konfirmoi krizën e thellë të rezultateve e që në stadiumin “Brian Filipi” ngjau më shumë si krizë identiteti.

Të kuqtë i pësuan të tre golat në pjesën e parë (shënuan: Bushi 13’, Jovanovic 26’, Fetaj 44’), duke shfaqur dobësi të theksuara në qendër të mbrojtjes, ku Boldor rikthehej titullar pas një mungese disa javore për arsye pezullimi.

Edhe aktivizimi i të riut Tedi Cara në sulm ndodhi të ishte në kohën dhe vendin e gabuar, me Sormanin që duket se i kishte bërë llogaritë gabim edhe me terrenin e rënduar për shkak të reshjeve të shiut.

Në ndeshjen e kthimit të kuqve u duhet ta përmbysin këtë rezultat negativ me një fitore me 4 gola diferencë.

Rezultati 3-0 e çon takimin në shtesë e çdo fitore tjetër e Partizani me 3 apo më pak gola diferencë kualifikon Besëlidhjen.

Ndryshe nga Partizani, Tirana fitoi 1-3 në fushën e Kastriotit, ku golit të Ajazit të vendësve në pjesën e parë iu përgjigjën në të dytën Dunga dhe talenti Muçi me dygolësh.

Bardheblutë tashmë e kanë formalitet ndeshjen e kthimit, por presin me interes nëse në fazën çerekfinale do të përplasen në derbi me Partizanin apo me Besëlidhjen.

Edhe Kukësi nuk toleroi në fushën e Lushnjës, ku fitoi 0-1 me gol të Maliqit, sikurse Teuta praktikisht e siguroi avancimin pas suksesin 1-3 në fushën e Erzenit.

Gomez realizoi dygolësh, ndërsa Kallaku e çoi rezultatin në 3-0 para se Rezi të realizonte golin e nderit për shijakasit.

Skënderbeu fitoi pastër 0-2 në transfertë me Besën falë golave të Essien dhe Marës, ndërsa Vllaznia – Flamurtari përfundoi në barazim 2-2, duke lënë gjithçka të hapur në takimin e kthimit në Vlorë.

Për kuqeblutë shënuan Zogaj dhe Lika, ndërsa Nebihu dhe Ribaj ishin autorët e golave të kuqezinjve.

Surprizë, nëse mund të konsiderohet e tillë, ishte fitorja 3-0 e Apolonisë me Luftëtarin, me bluzinjtë që konfirmojnë krizën e thellë. Për fierakët shënuan Mehmeti, Zaimaj dhe Zoga.

Rezultatet

Besëlidhja-Partizani 3-0

Vllaznia-Flamurtari 2-2

Lushnja-Kukësi 0-1

Erzeni-Teuta 1-3

Besa-Skënderbeu 0-2

Kastrioti-Tirana 1-3

Apolonia-Luftëtari 3-0
Shtuar më 29/01/2020, ora 16:41
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori