Rikthehet në skenë Walter Zenga për stolin e Kombëtares (FOTO LAJM)

Prej vitesh Federata Shqiptare e Futbollit është e vendosur t'u besojë trajnerëve italiane dhe duket se tradita do të vijojë, edhe për në Andorra do të jetë përkohësisht në stol Ervin Bulku.
Pavarësisht nga kostot e mëdha, Armand Duka është i prirur të afrojë sërish trajner nga përtej Adriatikut dhe natyrisht emrat në tryezë janë të shumtë.

Një ndër emrat që rikthehet në skenë është ai i Walter Zenga, ish-portierit të famshëm të Interit (e quanin "Uomo Ragno", Njeriu Merimangë), i cili vetëm pak javë më parë u pushua nga puna te Venezia, aty ku e kishte marrë drejtimin në tetor dhe ndihmoi jo pak edhe talentin kuqezi Giacomo Vrioni, i cili luajti rregullisht dhe u paraqit mjaft mirë.

Zenga ishte kandidat për Shqipërinë edhe para emërimit të Panuçi-t dhe gjithçka dështoi vetëm për shkak të kërkesave të tepruara financiare të italianit, i cili kërkoi 800 mijë euro në edicion, në total.

Tani agjenti shqiptar Mario Cenolli poston në rrjetet sociale një foto ku është drekuar me Zenga-n dhe mesazhi është i qartë: "Jemi gati, mister Zenga", shoqëruar me flamur shqiptar. Natyrisht, është më shumë një sinjal që Zenga do të ishte gati të merrte kombëtaren tonë, por nuk mjafton dëshira e tij.

Ana financiare është mjaft e rëndësishme tani që po paguajmë edhe Panuçi-n deri në fund të vitit, por edhe ana sportive ka rëndësi, sepse Duka kërkon trajner me CV të rëndësishme dhe Zenga ndoshta nuk e bind, për faktin se shumë rrallë e ka nisur dhe e ka përfunduar sezonin me një ekip, ndërkohë që tre aventurat e fundit nuk kanë qenë pozitive: pak muaj tek Wolves, pak muaj te Crotone dhe tashmë pak muaj te Venezia. /albeu.com/


Shtuar më 25/03/2019, ora 16:10
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori