Rinovon Low, te Gjermania deri në 2016
Më në fund vjen firma që shuan çdo spekulim të kohëve të fundit për të ardhmen e Joachim Low. Ashtu siç kishte paralajmëruar edhe vetë, trajneri i kombëtares gjermane arriti pa asnjë problem akordin me federatën për kontratën e re dhe firmosi deri në përfundim të Europianit "France 2016". Kontrata e teknikut 53-vjeçar skadonte pas Botërorit 2014, por misioni i tij nuk do të përfundojë në Brazil.

"Jam shumë i lumtur që do të vazhdoj të punoj më gjatë me këtë skuadër dhe stafin teknik. Ndihem i motivuar për të zhvilluar ekipin më tej dhe për ta çuar përpara. Nuk kemi arritur ende në fund të udhëtimit tonë, kemi objektiva të mëdha përpara dhe duam t’i përmbushim të gjithë bashkë", ka thënë tekniku gjerman pas firmës.

Low mori frenat e "Pancerave" në 2006-ën, pas dy vitesh si asistent kur ekipi përfaqësues drejtohej nga Jurgen Klinsmann dhe që atëherë gjermanët janë rikthyer si një superfuqi në kupolën e futbollit ndërkombëtar. Nën guidën e tij, Gjermania arriti deri në finalen e Euro 2008, ku u mund nga Spanja 1-0, ndërsa është eliminuar më pas në gjysmëfinale në Botërorin e 2010-ës dhe Europianin e 2012-ës.

Për momentin gjermanët ndodhen të gjashtët në renditjen e FIFA-s dhe u kualifikuan në Botërorin e Brazilit pas një fushate eliminatore pa pësuar asnjë humbje. /albeu.com/
Shtuar më 18/10/2013, ora 14:33
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori