Rodriguez rikthehet në Madrid? Rrëfehet kolumbiani
E ardhmja e James Rodriguez mbetet e paqartë dhe e pazgjidhur. Pasi shënoi “hat-trick” në fitoren 6-0 ndaj Mainz, kolumbiani i Bayern Munich ka folur mbi mundësinë e rikthimit në “Santiago Bernabeu”, në fund të këtij sezoni: "Ne do të shohim se çfarë mund të ndodhë".

Po kështu, ishte logjike që të pyetej nëse rikthimi i Zidane do të ndikonte në të ardhmen e tij. James u përgjigj: "Mes meje dhe Zidane nuk ka ndodhur asgjë. Personalisht mendoj se kjo nuk do të ndikojë fare në të ardhmen time". Për bavarezët, mesi i qershorit është momenti kur duhet të vendosin, nëse do ta materializojnë klauzolën e huazimit, blerjen përfundimtare të mesfushorit për 42 milionë euro, apo do ta kthejnë mbrapsht atë.

"Ne do të duhet të vendosim nëse do të nënshkruajmë me James apo jo. Në fund të fundit, ky vendim do të merret në konsultim nga të dyja palët. E rëndësishme është që James të bëjë atë që dëshiron", - shpjegoi Uli Hoeness, presidenti i gjigantëve të Bundesligës.

Nga ana tjetër, Karl-Heinz Rummenigge, kryetar i bordit të klubit bavarez, shtoi: "Personalisht besoj fort se do ta shohim atë duke luajtur këtu edhe sezonin e ardhshëm. Të gjithë jemi të lumtur me të".
Numrat e tij me Bayernin janë pozitivë, pas startit të keq të sezonit me trajnerin Niko Kovac. Në 23 ndeshje të luajtura, kolumbiani ka shënuar një total prej 7 golash dhe ka dhënë 6 asiste.
Shtuar më 18/03/2019, ora 16:03
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori