Ronaldo: Dua të jap gjithçka për Realin
Viti i ri i Cristiano Ronaldos nis si ai i vjetri, në qendër të vëmendjes si gjithmonë, mes gazetarëve duke folur për të ardhmen e tij, kontratën me Realin dhe Topin e Artë.

Portugezi për herë të parë pas shumë kohësh thyen akullin me median spanjolle dhe shfaqet në sallën e konferencave duke premtuar sërish përkushtim ndaj fanellës së Los Blancos e duke bërë vetë të ditur vendimin se nënshkrimi i marrëveshjes me klubin nuk do të jetë një problem:

"Ndihem shumë mirë në Madrid jam i bindur se ky vit do të jetë më i mirë se ai që lamë pas. Shpresoj të jap më të mirën time dhe të fitojmë sa më shumë trofe. Është folur shumë për kontratën time këto kohë, unë nuk jam prononcuar sepse ajo nuk është e rëndësishme. Nuk është e rëndësishme për faktin sepse rinovimi nuk do të jetë një problem. Ajo mbi të cilën duhet të përqëndrohemi tani është ndeshja e radhës, të jemi të bashkuar dhe të përpiqemi të ndryshojmë situatën".

Ronaldo gjithashtu hodhi poshtë zërat dhe për një kalim të mundshëm te Man.Und: "Kam shumë miqë të mirë në Angli. Man.Und është një skuadër që ka patur një ndikim të madh në karrierën time. Njerëzit që më njohin mirë e dinë që kam përzemër shumë njerëz te ai klub por për momentin unë mbroj ngjyrat e Realit dhe ajo që dua të bëj është të fitojë sa më shumë me këtë skuadër. Jam i lumtur që gjendem në këtë klub dhe që kam vazhdimisht përkrahjen e tifozëve".

Portugezi nuk anashkaloi as deklaratën e Pepes sipas të cilit futbollistët luzitan ndjehen të perseketuar në Spanjë:

"Pepe është miku im dhe e kuptoj pse e ka lëshuar atë deklaratë por duhet të kuptoni se ai nuk e kishte për klubin dhe as për Madridin si qytet. Kur ne luajmë jashtë Santiago Bernabeut përgjithësisht ekziston një klimë e rëndë ndaj nesh, gjë që nuk është e pranishme brenda dhomave të zhveshjes sepse ne lojtarët nuk shohim kombësi me njëri-tjetrin", ka deklaruar Ronaldo.

Ylli i Los Blancos lëshon deklarata mbështetëse dhe për trajnerin e tij, Jose Mourinho:

"Për mua ai është trajneri i përshtatshëm për Realin, një teknik i madh për një skuadër të madhe. marrdhëniet me klubin më duken të mira dhe nuk e shoh në pikëpyetje pozicionin e tij", u shpreh portugezi.

Pas pak ditësh Fifa do të japë Topin e Artë dhe Ronaldo nuk e fsheh dëshirën për ta fituar këtë trofe:

"Për të qënë i sinqertë më pëlqen ta fitoj megjithatë jeta vazhdon dhe nëse nuk e marr këtë çmim. Mendoj se të tre kandidatët kanë mundësi të barabarta për ta fituar. Gjithsesi pavarsisht asaj që do të ndodhë jeta vazhdon", ka thënë CR7.

Ndeshja e parë e Realit për këtë vit do të jetë më datë 6 janar në La Liga kundër Sociedadit në shtëpi.
Shtuar më 03/01/2013, ora 12:18
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori