Ronaldo: Ndaj Suedisë dhe Shqipërisë nuk duhet të humbim pikë
Albeu.com
Mesfushori i Manchester United, thotë se është i gatshëm që për ndeshjen e radhës të kombëtares portugeze, kundër Suedisë dhe Shqipërisë, të luajë në çfarëdo pozicioni, dhe se nuk duhet të humbin pikë të reja.
Ronaldo është rikthyer në formacionin e Portugalisë pas paraqitjeve në Euro 2008, por dallimi është se në drejtim të kombëtares tash është një person tjetër, Carlos Queiroz, i cili më herët ishte ndihmës i Alex Ferguson.

“Të jem i sinqertë vërtet më kanë munguar paraqitjet me kombëtaren, ndërsa tash aty është Carlos Queiroz. Me të kam punuar shumë vite dhe e njoh mirë. Jam tifoz i tij dhe më pëlqen stili i punës së tij”, ka thënë Ronaldo.

Pas humbjes së papritur ndaj Danimarkës, Portugalia ka nevojë për pikë maksimale në dy ndeshjet e radhës, ndaj Suedisë dhe Shqipërisë.

“Nëse do të duhet ta ndryshoj ndonjë funksion, këtë do ta bëj me krenari. Për mua vetëm fakti që jam në këtë ekip është privilegj”, thotë Ronaldo.

“Që nga tash e tutje punët për ne do të jenë më të komplikuara, andaj nuk duhet të lejojmë të humbasim pikë të reja, si në ndeshjen ndaj Danimarkës. Është për keqardhje që humbëm 3-2, pasi që ekipi luajti mirë”, ka shtuar portugezi.
Shtuar më 07/10/2008, ora 21:26
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori