Ronaldo: Qëndroj te Mançesteri!
Albeu.com
Kristiano Ronaldo ka folur për të ardhmen e tij dhe për spekullimet mbi të, gjatë një intervistë për gazetën portugeze, “Publico”. Ylli portugez ka konfirmuar se nuk do të largohet nga skuadra e tij aktuale. Sër Aleks Ferguson tha që kjo javë do të vendosë gjithçka. Eshtë e vërtetë?

? Po. Trajneri im ishte aq i mirë sa erdhi në Lisbonë për të më takuar përpara disa ditësh. Ishte një bisedë shumë e këndshme midis dy njerëzve që e respektojnë njëri?tjetrin dhe jam i sigurt që është një miqësi e rëndësishme. Ajo çfarë kemi komunikuar është private. Sër Aleks më dëgjoi mua dhe unë e dëgjova atë dhe kemi arritur rezultatin se gjëja më e mirë është që të qëndroj në Mançester. Kështu që mund të konfirmoj që sezonin e ardhshëm do të luaj në “Old Trafford”.

? Si mendoni që do të ndihen drejtuesit e Realit në këto momente?

? Dua të them se unë jam fajtori i gjithë kësaj “meseleje”. Nuk ishte faji i tyre, sepse isha unë që thashë publikisht se dëshiroja të shkoja tek Reali i Madridit. Isha unë ai që shkaktova këtë “luftë” midis dy klubeve.

? Qëndrimi juaj këtë verë tregoi se dëshira juaj ishte që të largoheshit nga Junaited në drejtim të Madridit. Çfarë dëshironi aktualisht?

? E dija që Reali i Madridit ishte e interesuar për mua dhe se kishte bërë një ofertë. Për një kohë dëshiroja që Mançesteri të pranonte ofertën dhe unë të shkoja në Madrid. Nëse do ta mohoja do të ishte një mashtrim. Të gjithë ata që më njohin e dinë se do të ishte diçka shumë e rëndësishme të pranoja një gjë të tillë.

? Cilat ishin arsyet që dëshironit të largoheshit?

? Pasi fitova Champions League mendova se për pesë vjet kisha ndihmuar ekipin të fitonte gjithçka. Fituam dy herë titullin kampion dhe kam fituar tituj personal, duke përfshirë golashënuesin më të mirë të kampionatit, Champions League dhe në Europë. Kështu që mendova se ishte koha për të ndryshuar. Nuk e kam mohuar asnjëherë faktin për të luajtur në Spanjë, tek Reali i Madridit në veçanti dhe mendova se ishte momenti i duhur. Mançesteri dhe Reali janë dy klubet më të mira në botë dhe nuk do të ishte një vendim i lehtë për t’u marrë. Përveç sfidës së re, të gjithë e dinë se kulturat spanjolle me ato portugeze janë shumë të ngjashme. Këto ishin arsyet që më bindën për t’u larguar.

? Asgjë tjetër? Mbase jeni tërhequr nga shumë e madhe e parave që Reali ju kishte ofruar?

? Jam në dijeni të këtij fakti, në të gjitha rrethanat do të ketë spekullime mbi mua. E dija që do të kishte ndonjë që do të thoshte që iku për të bërë më shumë para. Disa të tjerë thonë që nuk mund t’i rezistonte dëshirës për të qënë transferta më e shtrenjtë përnjë 23?vjeçar. Sigurisht jam shumë krenar që më kanë vlerësuar për punën time, por asgjë nga këto nuk ka ndikuar. Në fakt po të kishte qënë një punë parash, nuk do të isha larguar kurrë nga Junaited.

? A jeni i shqetësuar me atë që mund të ndodh me tifozët e Junaited?

? Për të thënë të drejtën jo. Ka mundësi që të ndodh diçka por shpresoj që jo. E di që jam një profesionist i mirë, e di që e gjithë kjo situatë do të jetë e vështirë vetëm për mua dhe kjo nuk ka për të ndryshuar asnjëherë. Kam thënë atë që kam menduar gjithmonë, kam ëndërruar të luaj me Realin dhe mendova se ishte koha e duhur. Njerëzit nuk mund të mërziten për një gjë të tillë, është një ëndërr fëmijërie.

? A jeni dakord me atë që kishte thënë Sep Blater, për “Skllavëri moderne”?

? Kjo nuk ka kuptim, nuk e di se çfarë dëshironte të thoshte. Ajo që doja të thoja është që lojtarët të jenë të lumtur, asgjë tjetër. ? Shtypi spanjoll vazhdon të thotë se ju do të luani tek Reali...

? Nuk kemi pse të parashikojmë. Gjërat ndryshojnë shpejt dhe nuk kemi pse të presim gjithçka me thikë. Asnjë nuk e di të ardhmen e tij. Por unë do të vazhdoj të luaj me Junaited, një klub që jam krenar. Por, jam një tifoz i Realit që në kohën e fëmijërisë.

? Kjo do të thotë që nuk e mohoni se në të ardhmen mund të luani me Realin?

? Jam 100% profesionist dhe kam dhënë shpirtin për këtë klub. Kam luajtur edhe i dëmtuar dhe këtë e ka vërtetuar operacioni im. Ky klub e meriton një gjë të tillë sepse ka një staf të mrekullueshëm. Nëse një ditë do të largohem dëshiroj që të lë opinionin më të mirë.



Fergi: Tifozë, mos e kritikioni Ronaldon!

Tani që gjithçka është e konfirmuar, Sër Aleks Ferguson i është drejtuar tifozëve të klubit që të mos jenë kritikë ndaj Kristiano Ronaldos. Edhe pse kjo çështje e ka shqetësuar shumë gjatë kësaj vere, ai shpreson që e gjithë kjo situatë të mirëkuptohet nga ambjenti i të “kuqve”. “Tifozët duhet të kuptojnë se ka qënë një kohë shumë e vështirë për të”, tha Ferguson në një intervistë. “Atij i janë ofruar shumë para, në një kohë kur i kishte vdekur babai që në moshë të ri dhe mbështetej tek mamaja, motra dhe vëllai i tij. Ai ka kaluar një moment shumë të vështirë dhe duhet ta kuptojmë. Ronaldo është një lojtar i Junaited, dhe kjo është ajo më e rëndësishmja”, përfundoi skocezi.



Shuster: Sa keq që s’do të vijë!

Trajneri i Realit të Madridit, Bernd Shuster, ka shprehur keqardhjen e tij për faktin se Kristiano Ronaldo nuk do të vijë në Madrid: “Duhet të respektojmë vendimin e tij. Ishte i lirë të bënte çfarë të donte dhe më vjen keq që nuk do të vijë te Reali, sepse është një futbollist që me të vërtetë do të përmirësonte skuadrën tonë. Megjithatë, nuk duhet të shqetësohemi. Kemi një skuadër të madhe, me të cilën mund të luftojnë për të fituar gjithçka. Kristiano Ronaldo ka vendosur të luajë për Mançesterin dhe ne do ta respektojmë mendimin e tij. Tani duhet të shohim përgatitjet për sezonin e ri dhe të mos mendojmë më për të ardhmen e Ronaldos. E dimë që nuk do të vijë dhe kaq”.



Raul: Fitojmë edhe pa Kristianon!

Kapiteni i skuadrës madrilene, Raul Gonzalez, nuk u shpreh aspak i shqetësur për faktin se Kristiano Ronaldo ka vendosur të luajë edhe për një sezon tjetër për skuadrën e Mançester Junaitedit. “Ronaldo nuk do të vijë, e ka thënë vetë, kështu që nuk duhet të flasim më për këtë çështje. Ka kohë që flitet për këtë temë, e cila ka shqetësuar të gjithë skuadrën tonë. Tani nuk do të dëgjojmë më për Kristianon Ronaldon te Reali. Sigurisht që do të na pëlqente që një lojtar si ai të vinte në skuadrën tonë, por merkato ka edhe zhgënjime të tilla. Reali pa Ronaldon? Kristiano është një futbollist shumë i talentuar, megjithatë skuadra mund të fitojë edhe pa të. Kemi një grup shumë të mirë lojtarësh, me të cilët mund të fitojmë çdo trofe”.
Shtuar më 11/08/2008, ora 19:41
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori