Rooney mbyll aventurën në MLS
Wayne Rooney përfundoi karrierën në Major League Soccer, pasi ekipi i tij DC United u mund 5-1, pas kohës shtesë, në Kanada, nga Toronto.

Rooney, që ditën e enjte do të festojë 34-vjetorin, luajti për plot 105′, megjithatë për të dytin vit radhazi “franchise” nga kryeqyteti i Shteteve të Bashkuara dështoi për t’u kualifikuar për në fazën gjysmëfinale të Konferencës së Lindjes.

Ish-kapiteni dhe njëherësh edhe golashënuesi më i mirë në historinë e Manchester United është konsideruar si një ndër futbollistët më të rëndësishëm të ekipit nga Washingtoni, madje sulmuesi nga Merseyside e mbylli sezonin e rregullt si golashënuesi më i mirë i skuadrës.

Wayne Rooney shënoi 11 gola gjithsej në këtë edicion, 4 prej të cilëve me 11-metërsh, por sidoqoftë shumë prapa ish-shokut të tij te “Djajtë e Kuq”, Zlatan Ibrahimovic, që me fanellën e ekipit kalifornian LA Galaxy e përfundoi “regular season”-in në kuotën e 30 golave, në një kohë kur golashënuesi më i mirë i sezonit të rregullt u shpall pikërisht kapiteni i “franchise”-t tjetër të Los Angeles-it, ish-lojtari i Arsenalit, meksikani Carlos Vela, me plot 34 gola.

Ish-kapiteni i përfaqësueses angleze, që me fanellën e “Tre Luanëve” në harkun e 16 vjetëve ka shënuar 53 gola në 120 ndeshje gjithsej, luajti në këtë mënyrë ndeshjen e tij të fundit në MLS.

Në vitin 2018 Wayne Rooney fillimisht firmosi një kontratë për tre vite e gjysmë dhe mori numrin 9 te DC United, megjithatë në ditët e para të muajit gusht sulmuesi arriti marrëveshjen me drejtuesit e ekipit kryeqytetas për t’u larguar dy vjet më herët nga ç’ishte parashikuar në kontratë, për t’u emëruar në muajin janar si trajner – lojtar në radhët e klubit nga Championshipi, Derby County, duke e mbyllur kështu aventurën e tij në Amerikën e Veriut pas vetëm 18 muajve.
Shtuar më 20/10/2019, ora 21:02
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori