Rosell: "Camp Nou" si tenxhere me presion
Duhen edhe dy javë e gjysmë për të përjetuar El Klasikon e radhës Barcelona–Real Madrid, megjithatë mendjet e njerëzve në mënyrë të paevitueshmë janë të fiksuara te kjo përballje. Por këtë herë, për shkak të situatës politike, "Camp Nou" mund të shndërrohet skenë e thirrjeve të tifozëve vendas, që sikurse bënë në ndeshjen e Champions League ndaj Spartakut të Moskës, mund të hedhin parrulla për pavarësinë e Katalunjës.

Për presidentin aktual të Barcelonës, Sandro Rosell, që gjithmonë ka dashur ta lërë mënjanë politikën e zyrës së tij, nuk është diçka e re ajo që po ndodh javët e fundit në Katalunjë.

"Jam i bindur që Camp Nou do të jetë si një tenxhere me presion për Barcelonën dhe Katalunjën", tha numri një i blaugranave.

Por ndryshe nga Rosell, paraardhësi i tij, Joan Laporta, bazohet mbi sjelljen e mirë të publikut vendas, duke e konsideruar thirrjen për pavarësi si rast të izoluar.

"Barcelona dhe njerëzit katalanas janë civile dhe të edukuar dhe këtë e kanë treguar edhe ndeshjen e kaluar. U surprizova nga thirrjet për pavarësi të vetëm një zëri dhe jo të shumicës në fund të takimit me Spartakut", u shpreh Rosell.

Për Sandro Rosell, Barcelona është një institucion, që duhet të evitojë situata të tilla, por sigurisht pa devijuar nga thelbi i saj.

"Klubi nuk duhet të përfshihet në situata të tilla, sepse është një bashkim i madh njerëzish, që kanë idealet dhe mënyrën e tyre të të menduarit. Nëse mund të bëjmë një krahasim është njësoj sikur klubi të vendosë të jetë Budist, Musliman, apo Katolik. Por t’i marrësh njerëzit një e nga një, secili ka fenë e tij që e praktikon", vijoi më tej presidenti i Barçës.


Pyetja drejtuar futbollistëve dhe trajnerit të Barcelonës mbi mendimin e tyre për thirrjet për pavarësi është e paevitueshme. Vilanova dhe Xavi, pas fitores në "Camp Nou" ndaj Spartakut të Moskës, u përgjigjën thuasje nëmënyrë identike: "Duhet t’i lejojmë njerëzit që të shprehen lirshëm".

Me largimin e Guardiolës, edhe Mourinho ka qenë më i qetë, ndërsa përballjet e fundit në El Klasiko fatmirësisht ishin më pak të tensionuara, por duket e paevitueshme ndërhyrja e politikës në ndeshjet e ardhshme. /albeu.com/
Shtuar më 21/09/2012, ora 17:46
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori