Revolucion te Milani, 5 lojtarë pranë largimit
Sezoni aktual nuk ka përfunduar ende, por te Milani ka nisur puna për të planifikuar të ardhshmin. Me apo pa Champions, Leonardo do të ndërhyjë në merkato dhe emrat janë të shumtë e për të gjitha repartet. Siç thuret strategjia për blerjet, në binarin paralel vijon puna për ata që duhet të largohen, sepse Gatuzo ose kushdo që do të jetë trajneri nuk mund të punojë më 30 futbollistë çdo ditë.

Reparti që thuhet se do të ndryshojë më së shumti do të jetë mesfusha. Për çështje përfundimi kontrate apo mungesë vullneti për të vijuar raportin, janë të sigurta largimet e Rikardo Montolivos, Andrea Bertolaçit dhe Hoze Maurit. Ky i fundit mund të rikthehet te Parma, ndërsa ish-kapiteni nuk e ka vendosur ende destinacionin e radhës. Sa i përket Bertolaçit, ai ka një akord në fuqi me Xhenoan dhe do të vishet kuqeblu që nga 1 korriku, shkruan Panorma Sport.

Nga mesfusha aktuale duhet të qëndrojë Tiemue Bakajoko. Blerja e kartonit të tij është objektivi kryesor për kuqezinjtë. Çelsi nuk bën ulje, ndaj Milani do të derdhë 38 milionë euro në arkat e londineze pas 5 milionëve të paguara për huazimin në fillim të sezonit aktual. Shpërthimi i francezit detyron krerët për verifikime në llogari të Lukas Bilias. Edhe argjentinasi që nuk po gjen hapësirë mund të largohet në rast të një oferte konkrete.

Mosha, por sidomos paga e tij (3 milionë euro në sezon) rëndojnë bilancet, ndaj ndarja me “Djallin” nuk përjashtohet. Dyshimet vlejnë edhe për Frenk Kesin. Afrikani mund të jetë një “kurban” i merkatos, për të arritur te Bakajoko, por edhe për të lehtësuar borderonë. Me pesë largime të mundshme, Milani duhet të gjejë edhe zëvendësuesit. Pelegrini (Roma), Sensi (Sasuolo) dhe Diavara (Napoli) janë të preferuarit, por deri në verë kuqezinjtë do të përcaktojnë qartë profilet dhe koston për secilin operacion.
Shtuar më 11/04/2019, ora 09:12
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori