Rrëfehet Gjasula, rikthimi në stërvitje me Paderborn dhe lojtarët më mirë të Kombëtares
Qeveria gjermane ka dhënë dritën jeshile dhe në mes të muajit maj pritet të rifillojnë ndeshjet në Bundesliga.

Gjatë një interviste për ‘Panorama Sport’, Klaus Gjasula ka treguar planin e masave që është ndërmarë për ekipet elitare në Gjermani.

Mesfushori i Kombëtares shqiptare, gjithashtu ka treguar edhe situatën financiare që po kalon skuadra e tij e cila dhuroi 30% të rrogës për shkak të krizës nga pandemia.

Klaus si jeni dhe a po qëndroni në karantinë?

Jam mirë, faleminderit. Tani është bërë më mirë situata dhe nuk jemi më në kushte karantine. Sigurisht, me disa kushte shtrënguese, pasi përjashtë mund të rrish vetëm me familjarët e tu afër. Gjithashtu, edhe në dyqane, vendosja e maskës është e detyrueshme.

Ju keni nisur stërvitjen me Paderborn. Ju testuan para se të rinisnit?

Po. Çdo dy apo tri ditë na bëjnë teste. Gjithashtu, edhe çdo dy ditë na matin temperaturën.

Çfarë protokolli ka ndjekur ekipi për rinisjen e stërvitjeve?

Këtë javë kemi nisur me stërvitje normale. Mirëpo, disa ditë në fillim kemi bërë vetëm vrapime dhe pasime në distancë. Duke mos u bashkuar me njëri-tjetrin. Ndërsa këtë javë do të kemi edhe ndeshje dhe dyluftime mes nesh. Pra, do të bëjmë ndeshje në ritmin e tillë që çdo lojtar duhet të arrijë statistikat dhe parametrat e ndeshjeve të kampionatit.

E gjithë kjo është bërë me synimin që ne lojtarët të stërvitemi me ritëm ndeshjesh dy herë në javë, pasi mund të ketë kalendar të ngjeshur. Fatmirësisht, ekipi ynë nuk ka asnjë lojtar të prekur dhe po rikthehemi të punojmë normalisht.

Javën e parë kur u rikthyet, i përdornit dhomat e zhveshjes dhe dushet dhe a stërviteshit të gjithë bashkë në të njëjtën kohë?

Në dhomat e zhveshjes janë akoma vetëm nga gjashtë lojtarë për secilën. Pra, lojtarë të atyre grupeve që janë stërvitur bashkë. Në secilën dhomë ka dushe mjaftueshëm për të gjithë, por është vendosur që të lahen vetëm dy lojtarë njëkohësisht. Kjo ka ndodhur deri më tani. Mirëpo, në vazhdim, pasi kemi bërë dy – tri teste dhe meqë nuk kemi asnjë të prekur me virus, atëherë do të rikthehemi të luajmë, stërvitemi dhe qëndrojmë të gjithë bashkë. Besoj se do të ruhet vetëm ky rregulli për të mos qëndruar shumë veta në dhoma. Ndërsa në fushë do të jemi më të relaksuar.

Si ndiheni nga ana fizike dhe sa kohë ju kanë thënë që nevojitet përpara nisjes së sezonit?

Këtë javë kanë nisur stërvitjet normale, pasi ditët e para nuk ishin stërvitje, por vetëm një periudhë parapërgatitore. Pra, ka qenë një periudhë sa për të rinisur të lëvizim. Do kemi minimalisht dy javë deri në nisjen e kampionatit. Në fillim na u tha që mund të rinisnim më 15 maj, por u caktua data 22 maj.

Sa i përket aspektit fizik, besoj se ndihem gati. Normalisht që në rast se vendoset të luajmë dy herë në javë, atëherë do të hasim vështirësi, pasi nuk jemi në të njëjtin nivel fizik si përpara Koronavirusit. Por realisht nuk e kam shumë problem aspektin fizik, pasi ka gjenë gjithmonë një nga pikat e mia të forta.

Cili është lojtari më i mirë i këtij grupi në Kombëtare sipas jush?

Është e vështirë ta them, sepse të gjithë lojtarët janë të mirë dhe secili ka kualitetin e vet. Forcën e vet, faktin që luajnë në pozicione të ndryshme, etj. Gjithashtu, kjo është edhe sipas dëshirave personale të secilit. Pra dikush pëlqen x lojtar për një arsye të caktuar dhe një tjetër pëlqen tjetër lojtar për të tjera arsye. Nuk është diçka fikse. Ama, unë them Keidi Bare dhe Rei Manaj.
Shtuar më 07/05/2020, ora 12:00
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori