Rrëfehet Iuliano: Ja si i kam përjetuar tre finale Champiosi të humbura me Juventusin
Pëlqej
Mark Iuliano, 44 vjeç tashmë. Trajneri aktual i Partizanit është një nga lojtarët që me fanellën e Juventusit ka përjetuar emocionet e Ligës së Kampioneve. Tri finale…Katër herë kampion i Italisë, fitues i tri Superkupave të Italisë, i Superkupës së Europës dhe Kupës Interkontinentale.

Por trofeu Champions-it i ka shpëtuar nga duart në tri raste, në 90 minutat e fundit të rrugëtimit kontinental. Iuliano ka mbetur thellësisht i lidhur me bardhezinjtë e Torinos.

Në një intervistë ekskluzive për “SportsWeek”, në platformën “Tring”, ai rrëfen eksperiencën e tij, por analizon edhe edicionin aktual të Ligës së Kampioneve. “Juventusi është një skuadër që synon fitoren në të gjitha kompeticionet. Grupin e shoh të kalueshëm, pa vështirësi të mëdha.

Nëse Juventusi do të pësojë pak gola, diçka që e ka të natyrshme, atëherë do të arrijë të marrë pikët e nevojshme për të kaluar këtë fazë”.

Iuliano, ka nga ata që mendojnë se mbrojtja e Juventusit është dobësuar me largimin e Bonuçit…

Juventusi është një ekip dinak dhe i kujdesshëm, ndaj, nëse vendosën të shisnin shërbimet e tij, do të thotë se nuk ishte mbrojtja ajo që kishte nevojë për përmirësime, por një repart tjetër. Klubi ka bërë blerje shumë të mira dhe vijon të jetë ekipi kryesues dhe dominues në kampionat. Ka 3 pikë në grupin e Champions-it, sepse humbi përballë Barcelonës, që është një skuadër e madhe. Në atë ndeshje, Juventus e meritoi atë humbje, por bardhezinjtë janë mësuar të luftojnë. Asnjëherë nuk ia kanë dhuruar sukseset, ndaj nuk do të ketë probleme në grup, raporton Panorama.

Përtej Juventusit, prej pesë vitesh PSG ka shfaqur pretendime serioze në arenën kontinentale. Edhe këtë edicion e ka nisur vrullshëm dhe me shpenzime marramendëse.

PSG është një skuadër që shfaqet pretendente tashmë, por ajo i nis mjaft mirë grupet gjithmonë. Me blerjet e reja është bërë vërtet e rrezikshme, sepse edhe eksperienca e lojtarëve të sapoafruar është e rëndësishme. Mos harrojmë sa vlen Dani Alvesh, që është i më- suar me kompeticionet elitare.

Champions-i është e çuditshme sepse ka një specifikë të sajën. Luhet me sistem vajtje–ardhje, nuk e di asnjëherë se çfarë të pret. Për të shkuar deri në finale, duhet të mundësh ekipe të mëdha, shumë gjëra varen edhe nga kombinimet e çifteve. Parisi për shembull mund të përballet në 1/8 me Realin e Madridit, kampionët e Europës janë skuadra më e fortë momentalisht.

Mark Iuliano në kurrikulum ka tri finale në “UEFA Champions League”, 1997, 1998 dhe 2003, këtë të fundit e përjetoi nga stoli…

Ndeshjet finale janë të çuditshme. Kam qenë pjesë e skuadrës në tri finale. Në dy finalet ku u aktivizova, Juventusi ishte skuadra favorite. Në ndeshjen ndaj Borusia Dortmund, një skuadër plot ish-lojtarë të Juventusit, Interit, dukej e kalueshme… Ne 6 ditë përpara asaj ndeshjeje ishim shpallur kampionë të Italisë, ishim në formë mjaft të mirë për atë ndeshje, por na u mohua një penallti pas 10 sekondash lojë dhe pastaj pësuam dy gola qesharakë në zhvillimet e goditjeve të këndit.

Si pa e kuptuar, po humbisnim 2-0 dhe nuk arrin as të kuptosh arsyen. E rihapëm ndeshjen me golin që Del Piero shënoi me finte, por, në momentin tonë më të mirë, një djalosh shënoi nga mesi i fushës. Minutat kalonin dhe eksperienca e disa lojtarëve të Borusias nuk na lejuan të kishim shanse të tjera për të përmbysur shifrat. Në finalen e dytë që kam luajtur, kundër Realit të Madridit, ishim sërish favoritë.

Mbaj mend se vetëm një javë përpara fituam kampionatin, po luanim finalen e tretë radhazi në Champions, por pak ditë përpara ndeshjes, së bashku me mua, u dëmtua edhe Del Piero. Luajtëm pa u stërvitur si zakonisht. Ndeshja ishte një dështim më vete. E them sepse Reali atë sezon e pa veten në finale falë fatit, sepse në Spanjë nuk kishte bërë asgjë të mirë. Ne ishim aty sepse e meritonim, e kishin fituar duke dominuar kampionatin dhe ishim favoritë.

Por në atë ndeshje nuk po arrinim të shënonim, ata realizuan nga pozicion jashtë loje, ne gabuam dy-tre raste me Davids dhe Inzagi që u shfaqën vetëm përballë portierit. E humbëm ndeshjen dhe nuk e kuptonim arsyen. Pastaj ndaj Milanit… U vendos me penallti, Juventusit i mungonte Nedved…

Në atë kohë, nëse i hiqje Juventusit Nedvedin, zëre se i kishe hequr gjysmën e skuadrës. E kam fjalën për volumin e lojës që ai krijonte, për cilësinë që i jepte mesfushës dhe sulmit. Për më tepër të dyja skuadrat kishin shumë frikë, nuk donin të rrezikonin ndaj ndeshja shkoi me penallti. Një finale e humbur me penallti

Në 2015-ën, Barcelona nuk pati problem të ndëshkonte Juventusin e Alegrit. Dështimi i dytë brenda tri viteve ndodhi qershorin e këtij viti, Reali i Madridit u tregua i pamëshirshëm ndaj Juventusit.

Në duelin me Barcelonën isha në stadium si tifoz. Barcelona ishte pa dyshim favorite. Skuadër superiore, ndoshta më pak në repartin e mbrojtjes, por edhe aty Barcelona ka gjithsesi lojtarë të shkëlqyer. Juventusit të Alegrit ndoshta i mungonte eksperienca. Rezultati ishte i drejtë, sepse Barcelona e meritonte fitoren. Skuadrat e tilla duhet t’i përgëzosh. Problemi është se pjekuria që nuk u pa në atë ndeshje, duhet të shfaqej në duelin me Realin e Madridit.

Ajo humbje na zhgënjeu të gjithëve, jo vetëm tifozët, por edhe skuadrën. Për problemet nuk mund të flas sepse nuk jam pjesë e grupit, por mund të them se disa lojtarë nuk prodhuan atë që pritej, ndoshta sepse për ta ishte finalja e parë e Champions-it. Dikujt i mungoi karakteri i duhur, dikush vuajti presionin, nuk di ta them…

Këto lloj ndeshjesh janë aq unike, saqë asnjëherë nuk mund ta dish se si do të reagojë një kampion, apo një lojtar normal. Ndoshta më i përshtatshëm do të ishte një lojtar i nivelit normal që e ndien më pak presionin, sesa një djalosh… Si shembull, le të marrim ndeshjen e Dibalës. Ne prisnim që ta dominonte atë ndeshje, siç bëri gjatë gjithë sezonit europian, por për shkak të dëshirës dhe presionit të madh, shpërdoroi shumë raste.

Realit iu dha mundësia për kundërsulme me të cilat spanjollët janë vrastarë, në anën sportive flas… Pas një pjese të parë të pranueshme, skuadra pësoi rënie… Natyrisht që zhgënjimi është i madh, sepse tri finale i kam humbur vetë, shtojmë edhe këto dy të fundit, bëhen pesë… Gjithsesi, të paktën pata fatin të fitoj Kupën Interkontinentale!

Për fat të keq, Champions-i është trofeu i vetëm që më mungon. I kam shkuar aq afër në disa raste saqë do të kishte qenë qershia mbi tortë e karrierës sime.

Dhe, në fund, një batutë për momentin që shkaktoi më shumë polemika në karrierën e Iulianos si lojtar. 26 prill 1998… Ndërhyrja ndaj Ronaldos, nuk u dha penallti dhe Juventusi fitoi ndeshjen dhe krijoi avantazhin për të fituar edhe titullin kampion. Çfarë mund të thoni?

E thjeshtë, ishte ai që shkaktoi penallti ndaj meje, jo unë!
Shtuar më 05/10/2017, ora 11:55

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori