Rrëfehet Ronaldo për dëmtimin që pësoi gjatë kohës ku ishte tek Interi
18 vite më pas, në një intervistë për “FourFourTwo.com”, Ronaldo “Fenomeni” ka kujtuar dëmtimin e pësuar në prill të vitit 2000 gjatë Lazio-Inter, finalja e Kupës së Italisë, ku përfshin procesin e riaftësimit fizik dhe psikologjik, së bashku me frikën për të mos luajtur më futboll:

"Edhe tani, 18 vite më pas, nuk arrij t’i rishikoj ato imazhe të finales kundër Lazios. Sa herë shfaqen në televizion, largoj shikimin. Kur shikoj ato imazhe, është sikur dhimbja të më përshkonte sërish.

"Ai moment më ka shndërruar me shumë mundësi në një njeri më të mirë. Rikthehesha në atë ndeshje pasi kisha kaluar gjashtë muaj për t’u rikuperuar nga një ndërhyrje kirurgjikale dhe gjëja e fundit që prisja ishte të dëmtohesha sërish, aq shpejt. Por, u detyrova t’i nënshtrohesha një tjetër operacioni më të ndërlikuar dhe procesi i rikuperimit rezultoi më i gjatë. Në atë moment ndihesha sikur e gjithë bota po binte copash. Nuk mundesha ta besoja”.

"Kupa e Botës në Korenë e Jugut dhe Japoni ishte dy vite larg, por papritur nisa të ndiej që mundësitë e mia për të qenë në formë ishin në rrezik: nuk kishte garanci që riaftësimi do kishte pasur sukses. Nuk kishte pasur raste të ngjashme në të kaluarën, ndaj nuk e dinim sa shpejt do shërohesha. Po përballesha me një dëmtim që askush në futboll nuk e kishte vuajtur më parë. Kujtoj që pas tetë muajsh riaftësimi, s’arrija ende të përthyeja gjurin në 90 gradë: ishte një barrierë e madhe për të kryer çfarëdolloj ushtrimi.

"Ka qenë periudha më e vështirë e karrierës sime, ndihesha në depresion, isha i lodhur. Mund të vazhdoja vetëm të punoja. Nuk më ka shkuar kurrë nëpër mend të dorëzohem, kisha vetëm një siguri: nëse nuk do jepja maksimumin tim, nuk do luajafutboll. Dhe ky mendim dhembte më shumë”.

"Tetë muaj pas dëmtimit vendosa të dëgjoj disa opinione ndryshe, nga mjekë të të gjithë botës. Udhëtova në Shtetet e Bashkuara, ku një specialist më tha se nuk kisha asnjë mundësi për t’u rikthyer në fushë. Më e mira që mund të më rekomandonte ishte të provoja një ndërhyrje të re kirurgjikale që do kishte ‘zhbllokuar’ gjurin tim (njëri në Brazil, madje, më tha se nuk do mund të ecja më kurrë…), me shpresën për ta përthyer sërish me 90 gradë më shumë. Nuk kam pasur kurrë dyshim për dëshirën apo vullnetin për t’u rikthyer në formë: dyshoja te shkenca, nuk dija nëse kishte efektivisht trajtime të disponueshme që mund të më ndihmonim të luaja.

"Nuk jam doktor, as fizioterapist; por ato lloj shenjash, pas aq shumë vidash e qepjesh, nuk përkonin realisht me imazhin që pritet nga një futbollist. Në njëfarë mënyrë, rikthimi në fushë ka qenë praktikisht një mrekulli”.

"Isha gjithmonë me humor të keq sepse nuk mund të luaja futboll. Nuk arrija të mendoja për asgjë tjetër që do mund të më rikthente në formë. Po afrohej Kupa e Botës, edhe pse nuk arrija ende të imagjinoja veten teksa ngrija trofeun. Kisha ende frikë e dyshime: jam ndier thuajse i përndjekur”.

"Isha stërvitur normalisht dhe vendosa të shkoj të fle. Kjo është gjithçka mbaj mend, pasi më pas u zgjova me një tufë mjekësh mbi kokë. Më këshillonin që të pushoja, por doja me çdo kush të luaja dhe kur doktorët më dhanë leje pas një morie testesh nuk u mendova dy herë.

"Fenomeni’ tha: “Botërori 2002 ishte një arritje shumë e madhe. Edhe në aspektin personal e shijova shumë sepse kisha fituar një betejë personale me trupin tim që zgjaste prej dy vjetësh. Dhamë gjithçka edhe më në fund fituam. Arbitri mund të jepte edhe 100 minuta të tjera shtesë, por Gjermania nuk do të na mundte dot”

"Sot sa herë tentoj të luaj futboll, mendja kërkon të bëjë diçka, ndërsa trupi nuk përgjigjet në kohë dhe si duhet. E them shpesh se futbolli ka qenë më shumë se një universitet për mua. Nuk pata kurrë kohë për të shkuar në shkollë, e megjithatë futbolli më ka mësuar më shumë se çdo master apo doktoraturë. Do t’i jem ngaherë mirënjohës këtij sporti sepse më ka bërë të kuptoj forcën time.

"Nuk e kisha idenë se kush isha përpara se të pësoja ato dëmtime të rënda. Në karrierën time kam fituar dhe kam shënuar shumë gola e megjithatë më duhet të pranoj me sinqeritet se ky sport më ka dhënë shumë herë më tepër se ç‘munda t’i jap unë gjatë viteve të mija si profesionit", përfundoi Ronaldo. /albeu.com/
Shtuar më 11/06/2018, ora 17:00
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori